Sormani për mediat italiane: Largim me konsensus, atje nuk kishte as maska!
Partizani vendosi sot që të shkarkonte nga drejtimi i ekipit Sormanin, për shkak se ai vendosi që të braktiste skuadrën në derbin ndaj Tiranës. Duke folur për “Tuttomercatoweb”, strategu italian ka treguar edhe arsyet e “divorcit”, duke saktësuar se erdhi me konsensus mes palëve.
“Situata është e thjeshtë, kemi arritur një marrëveshje. Thënë ndryshe ka qenë një ndarje konsensuale dhe jo një shkarkim. Arsyet janë thënë shpejt dhe lidhen me pushimin e ekzistencës së kushteve të sigurisë. Nuk po flas vetëm për sigurinë time dhe bashkëpunëtorëve të mi italianë, por të të gjithë personave të përfshirë në seanca stërvitore dhe ndeshje.
Ditët e fundit dy futbollistë kishin rezultuar pozitivë ndaj koronavirusit dhe unë i kërkova klubit që të bënin tamponë të gjithë. Të enjten e 9 korrikut, kur përgjigjet e tamponëve nuk kishin ardhur ende, mua m’u kërkua të drejtoj stërvitjen dhe të përgatis skuadrën për derbin. Refuzova duke u thënë se është një situatë që nuk mund të merret lehtë. Nga ana etike dhe morale nuk mund të merrja këtë lloj përgjegjësie ndaj ekipit. Lojtarët u stërvitën gjithsesi, ndërsa më pas dolën përgjigjet e tamponëve, ku edhe tre të tjerë rezultuan pozitivë.
Po juve si u sollët? Për mua ishte e qartë që situata nuk ishte më e përshtatshme dhe në të tilla raste sporti kalon në plan të dytë. Kur dolën të parët të infektuar, telefonova një virolog në Itali, i cili më këshilloi që të ndaleshim menjëherë. Unë vetë u futa në izolim që më datën 8 korrik, pasi kështu duhej bërë, por askush nuk ma imponoi këtë. Për mua nuk kishte parakushte për stërvitje dhe jo më për ndeshje. Paramendo nuk kishim as maska.
Qëndrimi i drejtuesve? Për ta ishte normale. Më vonë erdhi edhe vendimi i federatës për të luajtur ndeshjen pavarësisht gjithçkaje. Për mua nuk ishte ashtu, pasi aspekti sportiv ndonjëherë vjen pas atij etik dhe deontologjik, duke menduar për të gjithë njerëzit që punojnë për klubin.
Divorci? Unë u thashë se nuk do të përgatisja ndeshjen dhe se do të zgjidhja të mos dërgoja shumë njerëz në thertore. Detyra e një trajneri në situata të tilla delikate shkon përtej fushës. Prej atij momenti u ulëm me klubin dhe gjetëm një zgjidhje konsensuale. Nuk kam interes të bëj polemika apo luftë me klubin, kështu që zgjodhëm ndarjen miqësore.