Sormani: Synojmë Europën, gara për titull hapet nëse i “bie të fikët Tiranës”
Partizani është gati për ndeshjen e parë pas pandemisë, teksa do të ketënjë duel të vështirë kundër Skënderbeut. Trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani u shpreh i pasigurt në lidhje me formën e skuadrës së tij, ndërkohë që në lidhje me garën për titull ajo mund të rihapet vetëm nëse “i bie të fikët Tiranës”
“Të rinisësh kështu me pak stërvitje pa ndeshje miqësore do të jetë një e panjohur për të gjithë. Gjithçka ka ndryshuar, unë e kam të vështirë të parashikoj dhe të flas tani për objektiva. Duhet të shikojmë gjendjen fizike dhe dëmtimet, që sipas meje do jenë të shumta. E mira është të mendojmë për to. Mund të them se objektivi i skuadrës është të arrijmë Europën, ky është minimumi që duhet të arrijmë. Duhet të bëjmë më të mirën për ta arritur
Kalendari? Nuk mendoj se është problemi te kalendari, pasi ne do të luajmë përballë të gjithëve. Problem është si sillesh në ndeshje, mendoj se varet shumë nga ne dhe jo nga takimet me kundërshtarët që do të kemi.
Skënderbeu? Mendoj se ndeshjet nuk do të kenë intensitet të lartë. Do ketë momente nervozizmi dhe lojë të egër, por do ketë edhe momente qetësie, pasi lojtarët nuk kanë ritëm të madh. Do të jetë një ndeshje me rivalitet, përveç kësaj duhet parë me kohën se çfarë do të ndodhë. Objektivi për këtë ndeshje është gjithmonë i njëjtë, pavarësisht atyre që kanë ndodhur.
Lojtari i infektuar i Bylisit? Shpresoj që të mos jetë e vërtetë dhe futbollisti të jetë mirë. Kemi punuar shumë deri tani dhe shpresoj ta mbyllin sezonin deri në fund. Një ndërprerje e tillë nuk ka ndodhur më parë. Asnjë nuk mund të parashikojë atë që do të ndodhë. Do të ishte absurde të thuash që skuadra jote është në formë, sepse sipas meje nëse në verë ne luajmë disa miqësore para se të nisë sezoni, tashmë duhet të konsiderojmë që nuk kemi bërë asnjë miqësore dhe situata është krejtësisht ndryshe.
Gara për titull? Mendoj se kjo mund të ndryshojë, vetëm nëse Tiranës i bie të fikët. Kukësi është më afër dhe gara për titull mendoj se është ende e hapur. Janë edhe 10 ndeshje me 30 pikë në lojë, që nuk janë pak, por duhet parë edhe reagimi i Kukësit.
Nuk e di nëse është çështje fati, por e sigurt është se dëmtimet kanë të bëjnë me fatin. Nëse duam të shohim kampionatin gjerman që është i pari që rifilloi, numri i dëmtimeve është i lartë dhe nuk mund të bëjmë sikur nuk do të ketë dëmtime dhe numri do jetë i lartë. Duhet të jemi me fat.”, përfundoi Sormani.