Sot derbi Partizani-Tirana, 400 forca policie dhe dhjetra agjentë në stadium
Policia ka kaluar në gadishmeri sot pasi zhvillohet derbi Partizani-Tirana. Derbi i kryeqytetit do të rikthejë atmosferën elektrizuese në futbollin shqiptar, me përballjen emocionuese mes Tiranës dhe Partizanit mbrëmjen e sotme në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Policia ka marrë masa për mos parkim të makinave në zonën përreth, si dhe kontrolle të çdo tifozi.
90-minutëshi mes bardhebluve dhe “demave të kuq” është një sfidë pa parashikime dhe e pandikuar nga ecuria deri në këtë pikë të Kategorisë Superiore.
Të dy trajnerët e skuadrave të kryeqytetit, Ze Maria dhe Gega do të debutojnë në këtë lloj derbi për herë të parë. Ata nuk e kanë provuar asnjëherë nga pankina se çfarë do të thotë një ndeshje e tillë, që përplas dy ekipe me histori dhe rivalitet.
Cilido që do të zbresë në fushë sot, në orën 19:45, nuk do të ketë nevojë për motivim, ndërsa në shkallët e impiantit, tifozeria bardheblu dhe ajo “e kuqe” kanë premtuar vërtet shkëndija.
Tirana pritet të ketë një formacion të ngjashëm me atë që barazoi ndaj Skënderbeut në Korçë dhe dilema më e madhe është sulmi me Sentamu.
Edhe te Partizani thuajse janë zgjidhur ekuacionet e formacionit të derbit, që nga porta e deri në repartin ofensiv. Mbetet për t’u parë nëse shkodrani Hebaj do të jetë apo jo nga minuta e parë. Partizani është për momentin në vendin e 3-të me 10 pike, kurse Tirana në vendin e 7-të me 5 pike.
Historiku i ndeshjeve
Partizani ka numrin më të madh të fitoreve në derbi, me plot 60 takime në total, kundrejt 47 të Tiranës, ndërsa 41 sfida të tjera kanë përfunduar pa fitues. Fitoren më të thellë, të kuqtë e kanë regjistruar në vitin 1947, kur mposhtën Tiranën me rezultatin 8-0, një rezultat me të cilin mbështetësit e Partizanit krenohen edhe sot e kësaj dite. Atë vit Partizani fitoi edhe titullin kampion, gjë që e përsëriti edhe në dy vitet pasardhëse, 1948 dhe 1949.
Ndërkohë Tirana, në sezonin 1985-1986 arriti të fitonte 7-3 ndaj Partizanit,. Bardheblutë vinin si kampionë në fuqi në atë takim dhe nuk kishin presionin e rezultatit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1, ndërsa në pjesën e dytë shpërtheu Tirana, duke shënuar me lojtarë si Shkëlqim Muça, Arben Minga dhe Agustin Kola, që ishin në një formë të jashtëzakonshme.
Lojtari që ka shënuar më shumë gola në derbin e kryeqytetit është pikërisht Refik Resmja me 14 realizime, i ndjekur nga Indrit Fortuzi dhe Agim Murati, konkretisht i Tiranës dhe Partizanit, me nga 11 gola.
Masat e marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
“Në zbatim të ligjit Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, Ligjit Nr. 79/2017, për “Sportet” Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka hartuar planin e masave për mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit në këtë aktivitet sportiv. Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në ambientet e jashtme të stadiumit si dhe përgjatë rrugë kalimeve të tifozërive.
Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ.
Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundraligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj ), si dhe çdo tifozë duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç pa praninë e prindërit apo kujdestarit.
Do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore (momenti i kalimit të tifozërive).
Segmentet Rrugorë që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitet, janë :
– Rruga përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”
– Rruga “Gjin Bue Shpata”, nga kryqëzimi me Rrugën “Emin Duraku” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Sulejman Delvina”
– Rruga “Emin Duraku”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek rruga përball Stadiumit “Selman Stërmasi”
– Njëra korsi e Rrugës “Sulejman Delvina”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek kryqëzimi me Rrugën përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”
Policia e Tiranës do të lejojë dhe marrë masa mbi grumbullimin dhe lëvizjen e tifozërive në inteneraret si më poshtë :
Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 17:30 – 19:30, gjatë kalimit të tifozerisë së ekipit të “Tiranës”, janë:
Nisja përballë “Teatrit të Kukullave” përgjatë rrugës “Ibrahim Rugova”, bulevardit “Gjergj Fishta”, përgjatë rrugës “Sami Frashëri”, rrugës “Pjetër Budi”, rrugës “Gjin Bue Shpata” deri tek stadiumi “Selman Stërmasi”.
Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 18:00 – 19:30, gjatë kalimit të tifozerisë së ekipit të “Partizanit”, janë:
Nisja nga kryqëzimi i Rrugës “Muhamet Gjollesha” me Rrugën “Artan Lenja”, përgjatë Rrugës “Muhamet Gjollesha”, Rruga “Sulejman Delvina”, deri tek Stadiumi “Selman Stërmasi”.
Policia garanton dhe siguron lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejoj grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë intenerarit të caktuar.
Policia e Tiranës, kërkon mirëkuptimin e tifozërive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara”.