Sot vendoset e ardhmja e Vlahovic, ikën ose qëndron te Juventusi
E ardhmja e sulmuesit serb, Dusan Vlahovic, mbetet një nga çështjet më të nxehta në merkaton italiane. Drejtuesit e Juventusit pritet të zhvillojnë një takim vendimtar për të përcaktuar fatin e bomberit, i cili ndodhet vetëm pak javë larg përfundimit të kontratës së tij me bardhezinjtë.
Në tryezën e bisedimeve do të jenë drejtuesit e klubit, mes tyre Damien Comolli, Giorgio Chiellini, Francesco Ottolini dhe agjenti Milos Vlahovic. Mesazhi është i qartë: ose arrihet marrëveshja për rinovimin, ose palët do të ndajnë rrugët.
Sipas raportimeve nga Italia, trajneri i ri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka kërkuar me ngulm që klubi të bëjë përpjekje maksimale për të mbajtur sulmuesin serb. Megjithatë, negociatat nuk duken aspak të lehta.
Vlahovic kërkon një pagë prej 9 milionë eurosh në sezon, ndërsa Juventusi nuk është i gatshëm të shkojë përtej ofertës prej 6 milionë eurosh plus bonuse. Diferenca mes palëve mbetet e konsiderueshme dhe aktualisht nuk ka sinjale për një kompromis të afërt.
Situata ndiqet me interes nga disa klube të mëdha europiane. Napoli, Bayern Munich, Chelsea, Barcelona dhe Newcastle janë përmendur si destinacione të mundshme për sulmuesin, i cili mund të largohet si lojtar i lirë nëse nuk arrihet një marrëveshje me Juventusin.
Veçanërisht i interesuar mbetet Napoli, ku trajneri Massimiliano Allegri thuhet se e vlerëson shumë Vlahovicin dhe do ta dëshironte në skuadër. Megjithatë, edhe klubi napolitan nuk duket i gatshëm të përmbushë kërkesën financiare prej 9 milionë eurosh në sezon.
Pikërisht për këtë arsye, pista jashtë Italisë po fiton gjithnjë e më shumë terren. Klubet e Premier League, Bundesliga dhe La Liga mund të përfitojnë nga situata kontraktuale e sulmuesit, i cili mbetet një nga emrat më të kërkuar në treg.
KOHA JONË SONDAZH

