Sot Vllaznia-Skënderbeu dhe Flamurtari-Tirana
Tirana dhe Flamurtari kritikojnë merkaton, Vllaznia pret kthimin e Krujës. Tirana sot në Vlorë ndaj Flamurtarit (ora 17:00)dhe Skënderbeu në Shkodër ndaj Vllaznisë (ora 14:00) do të luajnë dy ndeshjet e tjera të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Trajneri Ilir Daja tha se mungesat e vetme të bardhebluve në takimin e sotëm me Flamurtarin do të jenë Fukui dhe Vucaj. Por trajneri i Tiranës vuri në pikëpyetje dy futbollistët brazilianë të afruar së fundmi te kryeqytetasit, ku nuk i fshehu rezervat për gjendjen e tyre fizike, duke lënë të hapur ndërhyrjet e tjera në merkato. “Lojtarët brazilianë nuk kanë gjendjen e duhur fizike. Ata kanë qenë në aktivitet në Brazil deri në muajin tetor, por një futbollisti profesionist nuk i lejohet që jetë i papërgatitur nga ana fizike. Për pozicionin e tyre do të vendosim në ditët në vijim”. Tirana kërkon të ketë sukses në kupë, për të shpëtuar objektivat, sikurse edhe Flamurtari. Por edhe te Flamurtari, pavarësisht 7 blerjeve të këtij sezoni, ish-legjenda Sokol Kushta ka kritikuar administrimin klubit. “Kur u bë anketa për vitin që lamë pas, tifozët votuan dy lojtarë, Bregun dhe Telushin. Sinqerisht u gëzova, por dje mora vesh se klubi i jep medaljen lojtarit të dalë nga punë shumë-vjeçare ekipeve zinxhir duke e larguar Bregun,” – kritikoi Kushta. Sakaq, dje Vllaznia është vizituar nga kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi që uroi ekipin para sezonit të ri, ndërsa trajneri Armando Cungu është në pritje të një rikthimi të madh, Arsid Krujës.
KOHA JONË SONDAZH

