Spalletti para rikthimit në Napoli: “Conte është top, por nuk e njoh. Kjo ndeshje vendos të ardhmen”
“Historitë e bukura e kanë dhuntinë e pavdekësisë… e imja me Napolin do të mbetet përgjithmonë”. Nënshkrimi i takon Luciano Spallettit, tani që dueli në stadiumin “Diego Armando Maradona” është gati dhe Juventusi i tij thirret në provimin më intrigues të sezonit. “Po, kundër kampionëve të Italisë është në lojë një pjesë e madhe e së ardhmes së kampionatit tonë dhe, për këtë arsye, duhet t’i kushtojmë gjithçka kësaj sfide. Kush është favorit? Nuk e di, nuk kam arsyetuar kurrë kështu: ata kanë probleme në mesfushë, ne kemi mungesa në mbrojtje, por le t’i lëmë mënjanë këto diskutime…”, u shpreh ish-trajneri i kombëtares italiane.
Napoli pret teknikun e “Bukurisë së Madhe” dhe pyet veten: duartrokitje apo indiferencë? Ky është debati kryesor. Qyteti pret bardhezinjtë për të treguar se kush është më i forti, ose më mirë, kush mund ta shikojë të ardhmen e afërt me kredibilitet më të madh. “Nëse mund të arrijmë edhe këtu në Torino të luajmë si ajo skuadër? I referohem fjalëve të John Elkann, historisë së këtij klubi dhe asaj që ka përfaqësuar gjithmonë: ka një proces – vazhdon Spalletti –, ka një rrugëtim… duhen edhe lojtarë cilësorë, sepse në fund janë ata që bëjnë diferencën”.
Takimi i afërt me Antonio Conten është diçka e re. “Po flasim për një profesionist të nivelit të lartë, por personalisht nuk e njoh, nuk shoqërohemi me njëri-tjetrin”, tha ai. Më pas, Spalletti foli për disa nga lojtarët e tij. Për McKennie-n tha se është një “djalë i fortë që e di se çfarë është vuajtja. Të shikon dhe duket sikur të thotë: kërko dhe unë e bëj… dhe bën gjithçka shumë mirë, për një trajner është perfekt”.
Ndërsa Locatellin e cilësoi si “një kapiten të vërtetë, një lojtar me personalitet të jashtëzakonshëm, i cili në dhomat e zhveshjes ka një vend lideri të mirëpërcaktuar dhe të njohur…”. Në Napoli bëjnë pyetje, ndërsa stadiumi “Maradona” tashmë është në ethe për rikthimin e madh. “Le ta themi kështu: e kemi bërë njëri-tjetrin të lumtur, një lumturi e thellë”, përfundon Spalletti. E pavdekshme.
KOHA JONË SONDAZH

