Spalletti para sfidës me Interin: Duhet të jemi skuadër në çdo moment, s’na duhet sulmues që shënon 20 gola
Luciano Spalletti i ka idetë e qarta për sfidën miqësore të Juventusit ndaj Interit, e programuar të shtunën në orën 13:00. Trajneri bardhezi foli në konferencë për shtyp, vetëm pak ditë pas fitores prestigjioze ndaj Chelsea-t, duke nënvizuar rëndësinë e këtyre ndeshjeve për të kuptuar progresin e skuadrës.
“Nga ndeshjet miqësore kupton se në çfarë drejtimi po shkon, nëse është drejtimi i duhur apo jo”, u shpreh Spalletti.
Tekniku italian foli edhe për gjendjen e Kenan Yildiz, duke konfirmuar se talenti turk do të ketë më shumë minuta ndaj Interit.
“Do të luajë më shumë se në ndeshjen ndaj Chelsea-t. Synimi është ta aktivizojmë për një pjesë ose pothuajse një pjesë loje”, deklaroi Spalletti, i cili paralajmëroi vështirësinë e përballjes me zikaltërit.
“Interi është një skuadër shumë e fortë. Do të kemi nevojë të jemi skuadër në çdo moment të ndeshjes”, shtoi trajneri i Juventusit.
Trajneri theksoi se aktualisht ka një organikë të gjerë dhe nuk sheh nevojë për një tjetër sulmues të profilit klasik.
“Nuk mendoj se na mungon një sulmues që shënon 20 gola. Kemi afruar disa futbollistë që, së bashku, mund të arrijnë atë kuotë”, u shpreh Spalletti.
Juventusi do të ketë një kalendar të ngjeshur këtë sezon, me ndeshje në Europa League dhe kampionat, ndaj rotacioni do të jetë i domosdoshëm.
“Do të luajmë të enjten dhe të dielën, kështu që nuk mund të aktivizojmë gjithmonë të njëjtët lojtarë. Europa League të angazhon më shumë se Champions League”, deklaroi tekniku.
Spalletti pranoi se skuadra nuk ka një sulmues tipik fizik, por beson se grupi mund ta kompensojë këtë mungesë.
“Sulmuesin fizik nuk e kemi, por do ta kompensojmë me ndihmën e të gjithëve. Alajbegovic di të shënojë, ndërsa duam ta ndihmojmë Kolo Muanin që të rrisë numrin e golave. Për momentin jemi të qetë në këtë aspekt”, përfundoi ai.
Në fund, Spalletti u pyet edhe për Alessandro Bastonin, mbrojtësin e Interit, me të cilin Juventusi do të përballet për herë të parë pas episodit të diskutuar të shkurtit të kaluar, ku u përfshi edhe Kalulu. Trajneri bardhezi nuk dëshiron që e shkuara të ndikojë te përballja e së shtunës.
“Nuk kemi krijuar pasoja të mëdha dhe nuk kemi folur më për sjelljet e lojtarëve në fushë. Duam vetëm të zhvillojmë një ndeshje të bukur ndaj skuadrës më të fortë të kampionatit tonë dhe të mësojmë sa më shumë prej tyre, në mënyrë që të arrijmë nivelin e tyre”, deklaroi Spalletti.
KOHA JONË SONDAZH

