Stadiumi i ri ”Flamurtari” në Vlorë, ministri Vengu: Arenë moderne në funksion të qytetit
Stadiumi “Flamurtari” pritet të kthehet në një arenë moderne sportive dhe një pikë referimi për jetën sportive, sociale dhe ekonomike të qytetit të Vlorës, si pjesë e një masterplani të gjerë zhvillimi.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu nëpërmjet një postimi sot në rrjetet sociale, nënvizoi se stadiumi do të jetë në funksion të qytetit, ndërsa theksoi rëndësinë e këtij projekti. Sipas tij, veç stadiumit, plani përfshin ndërtimin e një pishine publike moderne dhe një pallati të ri të sportit për qytetin e Vlorës.
“Projekti i transformimit të Stadiumit ‘Flamurtari’ në një arenë tërësisht të re dhe moderne në funksion të qytetit, është pjesë e një masterplani i cili planifikon zhvillimin e një zone edhe më të gjerë se ajo e pronës publike dhe përveç stadiumit parashikon edhe një pishinë të re publike dhe pallatin e ri të sportit të qytetit të Vlorës”, nënvizoi Vengu.
Ai shtoi se projekti sjell një harmoni të gjetur mes arkitekturës moderne dhe trashëgimisë historike. ”Projekti fitues i konkursit ndërkombëtar, në pronën publike, përfshin ndërtesa bashkëkohore që do ti japin një gjallëri të re jetës sociale e ekonomike të Vlorës, përmes konceptimit të bukur ariktektonik të XDGA | Consulting and Management Albania ltd | Jeshile Landscape | Bollinger + Grohmann Sarl | Ledia Kostandini, në një harmoni tejet të gjetur me trashëgiminë aq të pasur historike të këtij qyteti kaq të dashur nga të gjithë shqiptarët dhe bota mbarë”,- shkruan Vengu.
KOHA JONË SONDAZH

