Statistikat e “Abissnet Superiore” / Dinamo City ekipi me sulmin më të mirë, Partizani me mbrojtjen më të mirë
Java e 19-të e “Abissnet Superiore” ishte e fundit për vitin 2024. Kampionatin e kryeson Dinamo City me 34 pikë dhe blutë janë ekipi me sulmin më të mirë deri në këtë fazë.
Plot 30 gola janë shënuar nga Dinamo City në 19 javët e para të kampionatit dhe një meritë të padiskutueshme kanë dy sulmuesit, Baton Zabërgja dhe Peter Itodo, të cilët kryesojnë renditjen e golashënuesve në të njëjtën kuotë golash me Bekim Balajn.
Të tre sulmuesit kanë shënuar nga 8 gola dhe lufta për kreun e golashënuesve mbetet shumë e fortë. Menjëherë pas tyre vjen Ermir Rashica i Skënderbeut me 7 gola. Pas Dinamo City-t, ekipi që ka shënuar më shumë është Vllaznia. Kuqeblutë kanë realizuar 29 gola.
Skuadra me mbrojtjen më të mirë në kampionat është Partizani. Të kuqtë renditen të dytët pas Dinamo City me 33 pikë dhe deri në këto momente kanë pësuar vetëm 15 gola. Pas Partizanit në këtë statistikë të veçantë janë Egnatia dhe Laçi, që kanë pësuar nga 17 gola.