Statistikat që bëjnë të ëndërrojë Milani, Pioli ka bastin … Leao
Shifra për të ëndërruar. Mbyllja e sezonit të Milanit nën drejtimin e Piolit është në nivelet më të mira. Pak javë më parë, strategu italian ishte me valixhe në duar teksa pritej që të zëvendësohej nga Ragnick. Gjithsesi fitoret radhazi dhe veçanërisht ndaj Juventusit dhe Lazios, ishin provat më bindëse për drejtuesit që zgjodhën që ta mbanin dhe të rinovonin me të. Në dy ndeshjet e fundit për herë të parë që nga sezoni 1991/92, kuqezinjtë kanë shënuar 35 gola. Në nivelin evropian kalohet vetëm nga Real Madrid për numër pikësh 31 nga 30 që ka arritur Milani.
Karikimi – Vendi i pestë nuk është një pozicion më i mirë se sezoni i kaluar, ku e mbyllën sërish në këtë renditje me Gattuson, por padyshim përshtypja është shumë pozitive. Sukseset ndaj Juventusit, Sassuolos, Lazios dhe goleadat ndaj Bolognës dhe Genoas, treguan pjekurinë që ka fituar ekipi.
Sfida- E ardhmja sjell sfida të shumta për Piolin dhe Milanin e tij. Suksesi i parë ishte rikthimi i Castillejos, teksa me të në krye ai rigjeti vazhdimësinë. Duhet të fitohet edhe një bast tjetër në krahun e djathtë, për talentin Rafael Leao. Merkato nuk pritet të sjellë shumë zhvillime te kuqezinjtë, ndaj edhe përshtatja e tij sa më e mirë me ekipin është një nga provat më të rëndësishme që do të ketë Pioli para fillimit të sezonit të ri në shtator. /R.Lika-Koha Jone/