Stojku e Mehmeti në një mëndje, por Dinamo apo Sopoti e kërcënon Lushnjën!?

Dy ekipe që afruan lojtarë cilësorë gjatë dimrit, me pretendime serioze për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, janë ndaluar në javët e para, në transfertë. Dinamo dhe Sopoti, e shohin veten larg Lushnjës, por edhe nën kërcënimin e disa skuadrave të tjera, në Grupin B të Kategorisë së Parë, ku vetëm një ekip do të mund të ngjitet sezonin tjetër në Kategorinë Superiore. Pas ndeshjeve të para të këtij viti, si trajneri i Dinamos, Mehmeti, ashtu edhe ai i Sopotit, Stojku, flasin me optimizëm se ndeshjet e radhës do të flasin ndryshe dhe se skuadrat e tyre do të mund të rikthehen tek pretendimet.

Dritan Mehmeti: Keqardhje, për humbjen në Lushnjë

Humbja e parë e këtij viti ndaj një rivali direkt, si Lushnja në “Roza Haxhiu”, në sfidën e parë të 2015-ës ka lënë një shije të hidhur në kampin dinamovit. Më shumë se për rezultatin negativ, për trajneri e Dinamos, Dritan Mehmeti, ishte zhgënjyese loja e bluve kryeqytetas, që bënë shumë pak për të arritur një rezultat sa më pozitiv, ndaj Lushnjës.  – “Më vjen shumë keq në radhë të parë për tifozët që kishin udhëtuar drejt Lushnjës, për të na mbështetur. Më shumë se pikët më shqetëson loja e skuadrës dhe impenjimi i futbollistëve,”  – thekson Mehmeti. Portieri Elvis Kotorri, mesfushori Igli Allmuça dhe sulmuesi Daniel Xhafaj, tre afrimet kryesore të merkatos dimërore, duhet të bënin diferencën në këtë ndeshje por Mehmeti shprehet se atyre u duhet më shumë kohë për t'u përshtatur me kategorinë e parë dhe ndoshta do të japin rezultate në pjesën e mbetur të këtij sezoni. – “Të gjithë lojtarët, sikurse unë, duhet të marrin përgjegjësitë dhe të bëjnë analizën e lojës së tyre. Përsa u përket prurjeve të reja, mendoj se atyre u duhet pak kohë për t'u përshtatur me kategorinë e parë.”  Gjithsesi trajneri i 18 herë kampionëve të Shqipërisë është i bindur se reagimi do të vijë që në ndeshjen e radhës. Dinamo aktualisht renditet në vendin e dytë në Grupin B, të kategorisë së parë në kuotën e 20 pikëve, 4 më pak se Lushnja kryesuese.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gentaj Stojku: Pavarësisht humbjes, mbetemi pretendentë

Swiss Digital Mobile Reklama

Sopoti i Librazhdit është një ndër skuadrat e Kategorisë së Parë, që pretendon ngjitjen në Kategorinë Superiore, për sezonin e ardhshëm. Formacioni që drejtohet nga trajneri elbasanas, Gentian Stojku, aktualisht renditet në vendin e 5-të, në Grupin B, në kuotën e 19 pikëve. Sopoti e nisi pjesën e dytë të këtij sezoni, pavarësisht blerjeve të shumta në merkaton e janarit, me një humbje në Ballsh, 2-1 ndja Bylis. Pas kësaj humbje librazhdasit kanë dalë dhe kanë nisur rregullisht përgatitjet në ish-kompleksin Dinamo. Trajneri 40-vjeçar i Sopotit, pavarësisht humbjes, shprehet i sigurtë se librazhdasit do të rivalizojnë deri në javën e fundit të sezonit. – “Pavarësisht se e kemi nisur me humbje këtë vit, ju siguroj se Sopoti do të jetë deri në fund pretendent për Superioren. Kemi afruar shumë elementë të rinj në skuadër, por që u duhet pak kohë për t'u përshtatur.” Fakti që Sopoti duhet të stërvitet në kryeqytet dhe nuk ka një stadium për ndeshjet brenda sipas Stojkut e penalizon shumë këtë skuadër.  -“Sigurisht që jemi të penalizuar nga ky fakt. Nëse do t'i luanim ndeshjet në fushën tonë, sot do të kishim 6-7 pikë më shumë.”  Sopoti po përpiqet t'i rikthehet Kategorisë Superiore pas më shumë se 15 vitesh. Në Librazhd kanë projektuar rikonstruksionin e fushës së këtij qyteti, për t'u ofruar kushtet e duhura skuadrës edhe nëse arrin të ngjitet në elitën e futbollit shqiptar. –“Investimet në stadiumin e qytetit nuk kanë të bëjnë me objektivin tonë. Ajo fushë që do të ri-konstruktohet do t’i përkasë qytetit dhe kësaj skuadre pavarësisht se çfarë kategorie do të luajë.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?