Suarez bën thirrje që të parandalohet koronavirusi: Qëndroni në shtëpi!
Ylli i Barcelonës, Luis Suarez, u ka bërë thirrje qytetarëve ta bëjnë pjesën e punës së tyre për të ndihmuar në parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit duke i ndjekur këshillat e autoriteteve mjekësore.
Sulmuesi uruguaian postoi një video në Instagram për t’i risiguruar tifozët në një kohë paniku të krijuar nga kjo pandemi, e cila i ka marrë jetën më shumë se 7.800 njerëzve dhe i ka infektuar të paktën 194 mijë të tjerë në gjithë botën.
Suarez thotë se është jetësore që njerëzit t’i dëgjojnë këshillat e qeverisë dhe të qëndrojnë brenda për t’u siguruar se nuk e shpërndajnë apo marrin virusin.
“Përshëndetje të gjithëve, nga shtëpia ime në Barcelonë. Ju përqafoj fort dhe u jap forcë të gjithë njerëzve që po luftojnë me këtë virus, i cili na ka shqetësuar të gjithëve”, tha Suarez.
“Duhet ta kuptojmë se na takon neve ta përmirësojmë situatën. Nëse kujdesemi për veten, kujdesemi edhe për fqinjin dhe për gjithë popullatën. Duhet të kujdesemi për higjienën sepse është shumë me rëndësi. Nëse të gjithë ne se bashku mund ta luftojmë këtë, të gjithë do të vazhdojmë ta shijojmë jetën, familjen dhe miqtë tanë. Ju përqafoj fort, mos harroni të qëndroni në shtëpi”, shtoi 33-vjeçari.