Suarez shpërthen në lot: Klubi kishte nevojë për ndryshime, Koeman s’më llogariste!

Luis Suarez ka shpërthyer në lot në konferencën e lamtumirës, e cila u organizua nga klubi i Barcelonës. Në krah të tij ishte presidenti Bartomeu, ndërkohë që sulmuesi uruguaian ka treguar se ai nuk bënte pjesë në planet e trajnerit Koeman, ndaj dhe u detyrua të braktise “klubin më të mirë në botë” sipas tij. Aventura te Barcelona në fakt për të do të niste në një mënyrë aspak të mirë, pasi u dënua 4 muaj jashtë fushave për shkak të një kafshimi ndaj Chiellinit në Kupën e Botës në vitin 2014.

“E dini që erdha këtu pas një gabimi dhe klubi më mbështeti sërish. Ishte një ëndërr për mua që të luaja në klubin më të mirë në botë. Kam bërë shumë miq që më kanë bërë shumë të lumtur. Dua të largohem duke kujtuar momentet e lumtura, titujt, golat dhe shansin për të luajtur me futbollistin më të mirë në histori”, shpjegoi sulmuesi.

Suarez më pas ka rrëfyer se ishte e qartë që trajneri i ri i Barcelonës, Ronaldo Koeman nuk e donte atë në skuadër.

“Klubi kishte nevojë për ndryshime, klubi nuk më llogariste. Dua të tregoj se mund të luajë ende në nivele të larta. Kur më tha trajneri ishte një gjë e ditur. Gjërat janë shpikur, gjërat kanë rrjedhur dhe nuk janë të vërteta. Ndonjëherë zemërohesh nga kjo, por duhet të përpiqesh të qëndrosh larg. Kur arrin te Barcelona, ata të thonë ki kujdes me Leo, sulmuesit … Dhe tani rezulton se Leo është dëmtuar nga sulmuesit. Jemi të vetëdijshëm se përpiqemi të bëjmë më të mirën. Ishte një muaj i çmendur, në të cilin u shpikën shumë gjëra.

Ata thanë gënjeshtra dhe gjëra që zgjojnë indinjatën. E gjithë bota e njeh marrëdhënien time me Leo Messin. Kur ishim bashkë gjithmonë jemi përpjekur ta shfrytëzojmë maksimalisht, dhe tani po largohem me kokën lart. Jemi profesionistë për të mësuar nga kjo. Epo, nuk mund ta fajësoj veten për asgjë. Të gjithë e dinë që unë kam luajtur me siklet, me dëmtime. Jam krenar që hyra në historinë e klubit dhe largohem me kokën lart.

Do t’i bashkohem Atletico Madridit i entuziazmuar, por ende nuk e kam menduar se si mund të jetë të luash kundër Barcelonës. Nuk e kam përtypur ende këtë gjë”, deklaroi Suarez në konferencën e lamtumirës. Kujtojmë që Suarez do të përballet me Barcelonën më 22 nëntor në “Wanda Metropolitano”, ndërkohë që sfida e kthimit do të jetë më 9 maj të vitit të ardhshëm. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP