Suksesi i Skënderbeu në Shqipëri dhe akuzat “historike” të Federbet!
Një federatë jofitimprurëse “Federbet” që konsiderohet në misionin e saj lider në investigimin dhe parandalimin e praktikave të basteve në ndeshjet sportive, ka denoncuar së fundmi takimin mbyllës të Europa League, mes Skënderbeut dhe Sporting Lisbonës.
“Federbet” ka akuzuar ekipin kampion të Shqipërisë për trukimin e ndeshjes me Lokomotivë e Moskës. “Skënderbeu godet sërish, për herë të katërt këtë sezon skuadra shqiptare bëhet pjesë e manipulimit të ndeshjeve sportive,” – thuhet në denoncimin fundit që është bërë nga “Federbet”. Dhe si pjesë të dyshimeve, jepet fakti se dy golat e Lokomotivës së Moskës janë shënuar në minutat e fundit, kur koefiçenti ka qenë i lartë.
E njëjta kompani ka akuzuar Skënderbeun edhe për dy ndeshjet e Champions League, me Crusaders, dhe Dinamon e Zagrebit. Ekipi shqiptar kalon të parën, por u eliminua nga kroatët dhe përfundoi në Europa League.
Pasi shkroi historinë e futbollit tonë dhe shkoi në fazën e grupeve të Europa League, “Federbet” ngre akuza për fiksimin e rezultateve në dy ndeshjeve, Sporting Lisbonë-Skënderbeu dhe ndeshja e fundit Skënderbeu-Lokomotiva e Moskës.
Kjo federatë i ka kërkuar madje edhe UEFA-s të nisë hetimet. Por kjo e fundit funksionin me anë të rregulave dhe në asnjë prej akuzave, pamjeve televizive, apo të tjera, vëzhguesi i ndeshjes nuk ka raportuar për dyshime.
Jo vetëm mungesa e provave apo edhe historia e ndeshjeve sportive në Evropë, por edhe fakti se “Federbet” ka marrë në shqyrtim dhe ka ngritur dyshime vetëm për ekipin e Skënderbeun, duket si një investigim aspak serioz dhe që nuk përbën asnjë bazë.
Ashtu sikurse edhe fakti se mediat shqiptare i kanë kushtuar rëndësi “Federbet” dhe akuzave të ngritura, në një kohë kur për shqiptarët fakt është se skuadra kampione e Shqipërisë arriti suksesin më të madh në historinë klubeve tona, duke dhënë një shembull apo model edhe ekipeve të tjera.
Fakt është se Skënderbeu fitoi një ndeshje me Sporting Lisbonë, në “Elbasan Arena” dhe humbi ndeshjet e tjera, gjatë fazës së grupeve dhe se përballë tre ekipeve kundërshtare nuk ishte favorite për të avancuar më tej.
Fakt është se edhe Borussia Dortmund, kryesuese e grupit të saj humbi 0-1 me PAOK, në ndeshjen e fundit. Ekipi grek ishte i eliminuar dhe fitorja ndaj Dortmund kishte koeficient 7.5 Kujtojmë se kjo ndeshje doli 2/2. Partizani i Beogradit kishte tre pikë më tepër se Augsburg, shënoi në pjesën e parë, por humbi 1-3 në pjesën e dytë, në minutat e fundit. Edhe humbja 2-1 kalonte serbët më tej, por Partizani në 10 minutat e fundit mbeti me 10 lojtarë dhe dyshime të forta se përmbysja me të tilla shifra sjell përfitime të mëdha nëse është luajtur edhe kjo ndeshje në baste. Por asnjëra prej tyre nuk përmendet si e dyshimtë nga “Federbet”. Vetëm Skënderbeu?!
Dyshimet ngrihen tashmë mbi seriozitetin e “Federbet” se pse portugezët që humbën thellë dhe kaluan më tej grupin, nuk akuzohen se mund të jenë pjesë e manipulimit të rezultatit të këtij takimi? Pra, Skënderbeu nuk ka luajtur me vetveten. Dhe asnjë skuadër nuk është e ndaluar të humbë ndeshjen në fushë. Presidenti Ardian Takaj, nga ana e tij, e ka drejtuar drejt titullit kampion ekipin korçar, lojtarët nuk kanë pasur asnjëherë probleme me pagesat dhe infrastruktura që ai ka ngritur, është po ashtu model për ekipet e tjera shqiptare. Mos harrojmë se te Flamurtari dhe Vllaznia, prej disa muajsh lojtarët nuk ma rrin pagat dhe kanë hasur edhe vështirësi udhëtimi për të luajtur ndeshjet e kampionatit. Nga ana tjetër me politikat që ka ndjekur duke afruar lojtarë të talentuar, Skënderbeu po korr sukses sikurse ndodh me ekipet e tjera moderne në Europë. E bleu vetëm një vit më parë nigerianin Peter Olainka për një shumë modeste dhe ditën e ndeshjes së fundit të Europa League, Skënderbeu e shiti atë zyrtarisht te Gent i Belgjikës, për një shifër rekord në Shqipëri, 1.1 mln euro. Në janar e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me dy-tre lojtarë të tjerë. Por, po ashtu Skënderbeu është në garë për titullin e 6-të radhazi kampion.
Për Shqipërinë, dhe çdo tifoz shqiptar ecuria dhe arritja e Skënderbeut konsiderohet sukses që nuk e ka deri tani asnjë ekip tjetër. Dhe madje pranohet edhe nga ekipet kundërshtare të Skënderbeut në Shqipëri. Kushdo që nuk ia njeh apo kërkon ta njollosë atë… çështje tjetër.
Aranit Muraçi
KOHA JONË SONDAZH

