Sule njofton tërheqjen nga futbolli në moshën 30-vjeçare
Mbrojtësi i Borussia Dortmund, Niklas Sule, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli profesionist në fund të këtij sezoni, në moshën 30-vjeçare.
Qendërmbrojtësi gjerman mori vendimin pas dëmtimit të fundit në gju, të pësuar gjatë ndeshjes së Bundesliga kundër Hoffenheim më 18 prill. Karriera e tij është shoqëruar nga probleme të shumta fizike, përfshirë dy këputje të ligamentit të kryqëzuar.
“Dua të njoftoj se do ta përfundoj karrierën në fund të këtij sezoni”, deklaroi Süle në podcastin “Spielmacher”.
Futbollisti kujtoi edhe momentin emocional pas dëmtimit të fundit: “Pas ndeshjes me Hoffenheim, mjeku po kontrollonte nëse bëhej fjalë për një tjetër dëmtim të ligamentit. Kur pashë reagimin e tij, shkova në dush dhe qava për dhjetë minuta. Mendova vërtet se ishte këputur sërish”.
Edhe pse rezonanca magnetike tregoi se nuk bëhej fjalë për një dëmtim të tretë të ligamentit, pikërisht ky moment e bindi përfundimisht të largohej nga futbolli. “E kuptova se nuk doja të arrija verën, të isha me fëmijët e mi dhe të përballesha sërish me frikën e një dëmtimi tjetër serioz”, shtoi ai.
Karriera e Süle nisi pikërisht te Hoffenheim, ku paraqitjet e mira i siguruan debutimin me kombëtaren gjermane në vitin 2016 dhe transferimin te Bayern Munich një vit më vonë.
Me bavarezët ai fitoi pesë tituj kampionë në Bundesliga, dy Kupa të Gjermanisë, katër Superkupa të Gjermanisë, një UEFA Champions League, një Superkupë Europe dhe një Kupë Bote për klube.
Më pas ai u transferua te Borussia Dortmund, ku do të mbyllë karrierën. Me fanellën verdhezi zhvilloi 109 ndeshje dhe shënoi tre gola, ndërsa në total në Bundesliga regjistroi 299 paraqitje.
KOHA JONË SONDAZH

