Superkompjuteri/ Arsenali favorit për Champions League, Reali vetëm i shtati
Arsenali është skuadra favorite për të fituar Champions League në sezonin e ri, sipas një simulimi të realizuar nga Opta Analyst.
Superkompjuteri i Opta-s ka analizuar dhe simuluar skenarë të ndryshëm për garën europiane, duke u bazuar në statistikat e 36 skuadrave që marrin pjesë në fazën e ligës. Rezultatet e vendosin skuadrën londineze në krye të listës së pretendentëve.
Arsenali ka 20.9% probabilitet për të fituar trofeun, ndërsa menjëherë pas tij renditet Bayern Munich, me 19.4%.
Në vendin e tretë të parashikimit është Manchester City, me 12.3% shanse për triumf. Pas anglezëve vjen Barcelona, me 8.2%, ndërsa kampionët në fuqi të Paris Saint-Germain renditen të pestët me 7.1%.
Lista vijon me Liverpoolin, i cili ka 6.1% mundësi për të fituar trofeun. Në vendin e shtatë gjendet Real Madridi, me vetëm 4.4%, një pozicion që ka tërhequr vëmendjen për shkak të historisë dhe traditës së klubit në Champions League.
Sipas gazetës spanjolle AS, ndër skuadrat që dalin më të penalizuara nga parashikimi i Opta-s janë PSG dhe Real Madridi.
Parizienët, pavarësisht se janë kampionët në fuqi të Europës, renditen vetëm në vendin e pestë. Ndërkohë, Real Madridi pozicionohet i shtati, menjëherë përpara Manchester United dhe Interit.
Top-10 i favoritëve sipas simulimit të Opta-s tregon një diferencë të dukshme mes dy skuadrave të para dhe pjesës tjetër të pretendentëve. Arsenali dhe Bayern Munich kanë marrë përqindjet më të larta, ndërsa probabilitetet e mbetura ndahen mes tetë skuadrave të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

