Superkupa shkon në Laç, hero i ndeshjes një portier 17-vjeçar
Një ndeshje, një trofe, realizohet një ëndërr. Portieri Gentian Selmani është vetëm 17-vjeç dhe jeta e tij ndryshoi brenda një nate. Ai nuk kishte kohë as të mendonte për atë që e priste kur pak orë përpara Superkupës, trajneri Armando Cungu i komunikoi se do të ishte “gardiani”, që do të mbronte portën e Laçit në ndeshjen finale që u zhvillua në “Qemal Stafa”. Pak ditë më parë ai u transferua në Laç pas një sezoni të kaluar te Kastrioti dhe tani është një hero për tifozët e tij të rinj.
U deshëm 7 penallti që Selmani të kuptonte krahun e goditjes së kundërshtarit, për t’i dhuruar skuadrës kurbinase trofeun e parë të Superkupës.
Përpara se 17-vjeçari të bashkohej Laçit, kishte zhvilluar rreth 10 ditë stërvitje në Gjermani dhe ishte ironi e fatit që të zbriste menjëherë titullar në një sfidë kaq të rëndësishme. Malazezi Vujadinoviç u dëmtua pak ditë përpara sfidës dhe në këtë mënyrë, Selmani veshi dorezat për të debutuar me më të mirët e vendit. Fati dhe aftësitë e djaloshit deshën që ai të zgjaste atë dorë drejt topit për të prekur sferën dhe ëndrrën e një mbrëmje vere.
Ndeshja në 12o minuta u mbyll në barazim 2-2. Dopieta e sulmuesit të spikatur nigerian, Xhejms, u ka dhënë bardhezinjve avantazhin 2-0, ndërsa reagimi ka ardhur po me të njëjtën “valencë” nga Hamdi Salihi, i cili ka shënuar dy herë në portën e Selmanit dhe ka barazuar gjithçka.
Të gjithë janë treguar të saktë, me përjashtim të Lulaj të Skënderbeut, që është ndalur nga portieri i ri kurbinas. Përfundimisht, rezultati i penalltive ka qenë 8-7 për skuadrën e Cungut, që fiton kësisoj këtë trofe prestigji për herë të parë.
Superkupa e Shqipërisë
Skënderbeu-Laçi: 2-2
Shënues: Salihi 65’, 74’ / Xhejms 10’ (11-m), 50’
Skënderbeu: Llapanji, Ademir, Lulaj, Arapi, Abazi, Progni, Shabani (Lilaj 53′), Dema (Shkëmbi 46′), Berisha, Hristov, Abilaliaj (Salihi 28′). Trajner: Mirel Josa
Laçi: Selmani, Doku, Buljan, Cela, Sefgjinaj, Gocaj, Veliaj, Mustafa, Meto (Bardhi 72′), Mitraj (Nimani 68′), Xhejms (Ndreca 76′); Trajner: Armando Cungu
Gjyqtar: Andi Koçi, Ilir Tartari, Dojando Myftari
Kartonë të verdhë: Dema 10′, Arapi 87′, Shkëmbi 110′ / Sefgjinaj 17′, Mustafa 37′, Buljan 93′, Bardhi 97′
Penalltitë 7-8
Skënderbeu: Shkëmbi +, Salihi +, Berisha +, Lilaj +, Arapi +, Hristov +, Progni +, Lulaj –
Laçi: Buljan +, Sefgjini +, Veliaj +, Çela +, Mustafa +, Nimani +, Gocaj +, Bardhi +
KOHA JONË SONDAZH

