Supertifozi skocez përshkon mbi 5 mijë kilometra në këmbë për Kupën e Botës 2026
I veshur me kiltin tradicional skocez dhe me një pamje që kujton personazhin legjendar Forrest Gump, 22-vjeçari Craig Ferguson është pranë përfundimit të një prej sfidave më të veçanta të lidhura me Kupën e Botës 2026.
Tifozi i përkushtuar i kombëtares së Skocisë ka ndërmarrë një udhëtim prej më shumë se 5,000 kilometrash në këmbë, duke nisur nga Los Angeles dhe duke synuar të mbërrijë në Boston, në një mision që shkon përtej futbollit. Qëllimi i tij është të rrisë ndërgjegjësimin për shëndetin mendor të burrave dhe njëkohësisht të mbështesë kombëtaren skoceze në aventurën e saj në Kupën e Botës.
Nisma e Ferguson ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme si në Skoci ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, duke u shndërruar në një histori frymëzuese të përkushtimit dhe solidaritetit. Në ditën e 100-të të sfidës së tij, ai njoftoi se kishte arritur të grumbullonte mbi 300 mijë paund donacione, ndërsa objektivi final mbetet shifra prej 1 milion paundësh.
“Po përballemi me një krizë të shëndetit mendor te burrat. Nuk është vetëm një problem i Skocisë, por një fenomen global. Shumë burra po humbin jetën në mënyrë tragjike. Unë jam thjesht një tifoz i çmendur futbolli që dëshiron të shkojë në kufijtë ekstremë për të ndjekur ekipin e tij dhe për të përfaqësuar më të mirën e tifozëve skocezë”, u shpreh Ferguson.
Ai e nisi rrugëtimin më 2 shkurt nga Los Angeles dhe çdo ditë përshkon mesatarisht nga 50 deri në 60 kilometra, duke përballuar lodhjen fizike dhe kushtet e ndryshme të terrenit.
Destinacioni i fundit i aventurës së tij është Bostoni, ku më 13 qershor planifikon të ndjekë nga afër ndeshjen e Skocisë kundër Haitit në Kupën e Botës 2026. Ferguson është optimist për paraqitjen e ekipit të tij dhe parashikon një fitore 2-0 të skocezëve.
Historia e 22-vjeçarit është kthyer në një simbol të forcës së vullnetit, pasionit për futbollin dhe angazhimit për një kauzë sociale, duke frymëzuar mijëra njerëz përgjatë rrugëtimit të tij nga bregu perëndimor në atë lindor të Shteteve të Bashkuara.

KOHA JONË SONDAZH

