Tatiana Guzman shkruan histori, arbitrja e parë nga Nikaragua në finalen e Botërorit

Arbitrja nga Nikaragua, Tatiana Guzman, do të jetë pjesë e finales së Kupës së Botës 2026, pasi FIFA e ka përzgjedhur si asistente VAR për sfidën mes Spanjës dhe Argjentinës, që do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “MetLife” në New York.

Emërimi i saj është konsideruar një moment historik për futbollin e Nikaraguas. Federata e Futbollit e këtij vendi e konfirmoi lajmin, duke theksuar se Guzman është arbitrja e parë nga Nikaragua që përfshihet në ekipin e arbitrimit të një finaleje të Botërorit të meshkujve, një arritje që e vendos emrin e saj në historinë e sportit të vendit.

38-vjeçarja është arbitre me stemën e FIFA-s që prej vitit 2014 dhe gjatë Kupës së Botës 2026 ka spikatur për profesionalizmin dhe vendimmarrjet e saj në sallën VAR. Një nga momentet më të komentuara ishte në fazën e 1/16-ave, gjatë ndeshjes mes Gjermanisë dhe Paraguajit. Guzman sinjalizoi një faull ndaj portierit Orlando Gill në aksionin që solli golin e Jonathan Tah, duke bërë që arbitri ta anulonte rrjetën pas rishikimit të pamjeve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vendimi i saj u vlerësua gjerësisht nga ekspertët e arbitrimit, pasi ndërhyrja zbuloi një shkelje që kishte kaluar pa u vënë re në fushë. Pikërisht për aftësinë për të identifikuar detaje vendimtare, shumë media sportive i kanë vendosur nofkën “syshqiponja”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Guzman ishte protagoniste edhe në përballjen e fazës së 1/8-ave mes Brazilit dhe Norvegjisë. Ajo ftoi arbitrin kryesor të rishikonte një kontakt në zonë ndaj Matheus Cunha, duke çuar në akordimin e një penalltie për Brazilin. Megjithatë, goditja nga pika e bardhë u shpërdorua nga Bruna Guimarães.

Përvoja e Tatiana Guzman nuk kufizohet vetëm te Botërori 2026. Ajo ka qenë pjesë edhe e Botërorit të Klubeve 2025, si dhe e disa turneve ndërkombëtarë për moshat, ku ka fituar vlerësime për korrektësinë dhe profesionalizmin e saj.

Edhe shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, ka folur me nota pozitive për arbitren nga Nikaragua, duke e cilësuar atë një nga talentet më premtuese në përdorimin e teknologjisë VAR. Pjesëmarrja e saj në finalen e Kupës së Botës përbën jo vetëm një sukses personal, por edhe një moment krenarie për futbollin e Nikaraguas.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?