Taulant Xhaka i jep një shuplakë kundërshtarit, merr të kuq
Young Boys-Basel ishte një sfidë që duhet harruar sa më parë nga Taulant Xhaka. Në takimin që Baseli e humbi me shifrat 4-3 duke pësuar disfatën e parë në kampionatin zviceran, mesfushori i Kombëtares Kuqezi u ndëshkua me karton të kuq, pasi humbi kontrollin duke u përplasur me një lojtar kundërshtar në përfundim të ndeshjes. Në kryeqytetin e Zvicrës, Bernë, Baseli i trajnerit Urs Fischer e nisi ndeshjen me tre shqiptarë në fushë, Taulant Xhakën, Shkëlzen Gashin dhe Naser Alijin. Gjithsesi gjërat nuk shkuan shumë mirë për skuadrën nga St Jakob Park në këtë takim, me Baselin që u mund 4-3 nga vendasit e Young Boys, ndërsa Xhaka në fundin e ndeshjes u ndëshkua me të kuq nga gjyqtari Stephan Klossner.
Gjithcka nisi pas minutës së 94-t kur mesfushori shqiptar ekzekutoi mjeshtërisht një goditje standarte, por Xhaka mori kundërpërgjigjen e portierit të Young Boys, Mvogo që bëri një pritje fantastike. Vërshëllima e fundit e arbitrit bëri që vendasit të shpërthenin në festë, ndërsa miqtë nga Baseli të dilnin nga fusha të pezmatuar. Në momentin kur lojtarët ishin duke u larguar për në dhomat e zhveshjes, nisi edhe konflikiti verbal mes Taulant Xhakës dhe futbollistit të Young Boys, Renato Steffen.
Sic zbulojnë edhe mediat zvicerane një provokim nga ana e këtij të fundit në drejtim të 24-vjecarit shqiptar, e acaroi në maksimum futbollistin kuqezi, i cili e goditi Steffen-in me një shuplakë. Situata u tensionua shumë mes futbollistëve në fushë aq sa arbitri kryesor i tregoi në fytyrë kartonin e kuq Taulant Xhakës, i cili shquhet për temperamentin e tij gjaknxehtë. Pas këtij gjesti futbollisiti i Kombëtares Kuqezi rrezikon të ndëshkohet me disa ndeshje pezullim nga komisioni i disiplinës në federatën zvicerane të futbollit.
KOHA JONË SONDAZH

