“Të padëshiruarit” i japin pikë Juventusit, vendimtarë deri më tani
Federico Gatti i mjaftuan vetëm katër minuta për të lënë gjurmën e tij në ndeshjen ndaj Milanit dhe për t’i dhuruar Juventusit një barazim të vuajtur, por në fund të merituar.
Mbrojtësi bardhezi u aktivizua në minutat e fundit nga Luciano Spalletti, në një lëvizje taktike që mund të përsëritet edhe në të ardhmen. Karakteristikat fizike të Gattit e bëjnë atë një alternativë interesante edhe në rolin e sulmuesit, sidomos në situata kur Juventusi ka nevojë për një lojtar shtesë në zonën kundërshtare.
Goli i tij i siguroi Juventusit të paktën një pikë, duke e mbajtur skuadrën në kontakt me Milanin dhe Comon, ndërsa bardhezinjtë vazhdojnë të ruajnë edhe rekordin e pathyer në këtë sezon.
Të “padëshiruarit” po i japin pikët Juventusit
Goli i Gattit ka nxjerrë në pah edhe një statistikë mjaft interesante. Pavarësisht numrit të vogël të ndeshjeve të luajtura deri tani, 57.1% e pikëve të Juventusit në kampionat kanë ardhur nga futbollistë që gjatë merkatos së verës konsideroheshin jashtë projektit, tepricë ose kandidatë për t’u larguar nga Torino.
Në fakt, Gatti ishte lidhur vazhdimisht me një transferim te Napoli, pasi Gila kishte kaluar te Milani. Megjithatë, largimet e munguara në repartin defensiv të Napolit bënë që mbrojtësi të mos ribashkohej me trajnerin Massimiliano Allegrin. Një javë më parë, në ndeshjen Juventus-Parma, në listën e golashënuesve u shfaqën Nico Gonzalez dhe Teun Koopmeiners.
Edhe argjentinasi ishte një prej emrave më të përfolur gjatë merkatos. Diego Simeone e dëshironte rikthimin e tij te Atlético Madrid pas huazimit të sezonit të kaluar. Transferimi nuk u realizua, ndërsa Spalletti, i cili e vlerësoi gjatë fazës përgatitore, ndikoi që drejtuesit e Juventusit të mos e largonin.
Situata e Koopmeiners ishte disi ndryshe. Në Vinovo me shumë gjasa do ta kishin konsideruar një shitje nëse do të mbërrinte një ofertë konkrete. Por mesfushori holandez qëndroi në Torino dhe tani Spalletti do të përpiqet, ashtu si në rastin e Douglas Luiz, ta rikthejë në nivelin e tij më të mirë.
Gatti, Nico Gonzalez dhe Koopmeiners kanë një tjetër të përbashkët: kanë kontribuar drejtpërdrejt në 4 nga 7 pikët e grumbulluara nga Juventusi deri tani në kampionat.
Një statistikë që mund të jetë thjesht një kuriozitet në këtë fazë të sezonit, por që mund të marrë një rëndësi shumë më të madhe në muajt e ardhshëm.
Me Juventusin që do të garojë në Serie A, Europa League dhe Kupën e Italisë, Spalletti do të ketë nevojë për të gjithë lojtarët e tij. Edhe ata që gjatë verës dukej se ishin me një këmbë jashtë Torinos. Dhe gjithçka mund të ndryshojë sërish në merkaton e janarit.
KOHA JONË SONDAZH

