Tebas sulmon ashpër Realin: Flasin ata për integritet që i bëjnë presione arbitrave!
Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, ka reaguar me tone të ashpra pas vendimit për të anuluar ndeshjen Villarreal–Barcelona që ishte planifikuar të zhvillohej në Miami, si pjesë e projektit për promovimin ndërkombëtar të kampionatit spanjoll. Për shkak të protestave të lojtarëve dhe tifozëve, përballja do të luhet sërish në Spanjë, gjë që sipas Tebasit përbën “një hap pas për futbollin spanjoll”.
“Futbolli spanjoll humbi një mundësi për të përparuar, për t’u hapur ndaj botës dhe për të forcuar të ardhmen e vet,” deklaroi Tebas, i zhgënjyer nga vendimi që ndali projektin e ndeshjeve jashtë vendit.
Numri një i La Liga-s nuk kurseu as kritikat ndaj atyre që kundërshtuan iniciativën: “Disa flasin për ‘mbrojtjen e traditës’, por e bëjnë me një vizion provincial. Traditat e vërteta të futbollit europian po shkatërrohen nga vetë institucionet që e qeverisin, duke dobësuar kampionatet kombëtare, motorin e vërtetë të industrisë së futbollit në kontinent.”
Në fund, Tebas lëshoi një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj Real Madridit, që kishte kundërshtuar zhvillimin e ndeshjes në SHBA: “Dëgjoj të flitet për ‘integritet të garës’ nga ata që prej vitesh e kanë vënë në dyshim atë integritet, duke ushtruar presione mbi arbitrat, institucionet dhe opinionin publik, dhe duke përdorur median e politikën si armë sportive.”
KOHA JONË SONDAZH

