“The Albanian Psycho” debuton në boksin pa doreza, merr simpatinë e McGregorit
Luftëtari i njohur, Conor McGregor, ka mbetur i impresionuar me paraqitjen debutuese të Gzim Selmanit në BKFC, që është seria e njohur e boksit pa doreza.
Boksi pa doreza po rritet vrullshëm, ndërsa Selmani debutoi të shtunën në Newcastle të Anglisë, në një meç të kategorisë së rëndë.
McGregor është bashkëpronar në BKFC, ndërsa e pëlqeu paraqitjen e Selmanit, që më herët ishte kampion në WWE, serinë e njohur të mundjes profesionale.
Selmani në meçin e parë në boksin pa doreza i mbijetoi një nokdauni dhe me nokaut brutal në raundin e dytë e mposhti britanikun Daniel Curtin. Dhe kjo solli reagimin e irlandezit të famshëm, shkruan “Bloody Elbow”.
Pasi WWE e liroi vjet për herë të dytë, Gzim Selmani vendosi të kthehet në sportet luftarake. Këtë herë në “sportin më brutal në botë”.
Vite më parë Selmani e ndërpreu karrierën premtuese në MMA, që përfshiu një paraqitje në serinë “Bellator” për t’iu përkushtuar mundjes profesionale.
Ndërkohë kalimi i luftëtarit nga Kosova në BKFC solli shumë vëmendje. 31-vjeçari, i njohur si “The Albanian Psycho”, me paraqitjen debutuese ka arsyetuar pritjet.
Ndonëse Daniel Curtin në fillim të luftës e dërgoi në dysheme, Selmani u kthye shpejt dhe shfaqi forcën e tij. Deri në fund të raundit të parë ia doli tri herë të rrëzoi Curtinin, të cilin nga humbja e shpëtoi përfundimi i raundit.
Por në raundin e dytë lufta nuk zgjati shumë. Selmanit i janë dashur vetëm 22 sekonda për të përfunduar punën dhe të shënojë fitore me nokaut.
Gzim Selmani (FKA Rezar in WWE, 4-2 in MMA): He is the REAL DEAL 😤 A devastating second-round finish earns him the 'W' in his BKFC debut!#BKFCNEWCASTLE | LIVE NOW on TrillerTV+ pic.twitter.com/7jtyyPpLUW
— TrillerTV (@Triller_TV) March 14, 2026
Conor McGregor, që nga afër e përcolli luftën, ka shpërndarë në “Instagram” videon nga fitorja dhe ka përmendur Selmanin me nofkën e tij.
Pas luftës, fytyra e Curtinit ishte e gjakosur dhe e lënduar, ndërsa Selmani nuk e kishte asnjë shenjë.
Ende nuk është e ditur se kush do të jetë kundërshtari i radhës për ish-mundësin, që më parë kishte provokuar edhe njeriun më të fortë në botë, Eddie Hall.
Pas fitores Selmani mori mikrofonin dhe bëri një fjalim plot sharje. Ai u fishkëllye nga shikuesit, ndërsa u është drejtuar edhe atyre me fyerje.
“Jam këtu për të qëndruar, ju pëlqeu apo jo. ‘Albanian Psycho’ ka arritur në BKFC, sportin më dominant dhe më të çmendur luftarak”, ka thënë Selmani ndër të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

