Theu rekordin e Eto’o, Muriqi bëhet legjendë te skuadra e Mallorca-s
Sezoni i jashtëzakonshëm i Vedat Muriqit me Mallorca po hyn në historinë e klubit spanjoll. Sulmuesi kosovar ka thyer një rekord të rëndësishëm në La Liga, duke kaluar legjendën Samuel Eto’o si golashënuesi më i mirë i Mallorcës në kampionat.
Në ndeshjen ndaj Rayo Vallecano, Muriqi realizoi një dopietë brenda vetëm tre minutash, duke arritur në kuotën e 55 golave dhe duke lënë pas rekordin historik prej 54 golash të Eto’o-s. Sulmuesi i njohur si “Pirati” ka pasur një sezon dominues, duke regjistruar dopietë ndaj Espanyol dhe Osasuna-s (madje dy herë kundër këtyre të fundit), si dhe një tregolësh ndaj Athletic Club, i pari i tij në La Liga me fanellën e Mallorcës.
Forma e tij e shkëlqyer e ka futur edhe në garën për “Këpucën e Artë” evropiane, ndonëse diferenca mbetet e madhe me liderin Harry Kane, që ka 31 gola me Bayern Munich. Pas tij renditen Kylian Mbappe me 23 gola dhe Erling Haaland me 22, ndërsa Muriqi me 21 gola mban vendin e katërt.
Pas këtij arritjeje, Muriqi ka deklaruar se dëshiron ta mbyllë karrierën te Mallorca dhe të mbetet një legjendë e klubit. Ai ka ende 7 ndeshje për të synuar një tjetër rekord: të kalojë Dani Guiza, i cili mban rekordin e golave në një sezon të vetëm me 27 gola (2007-08).
Tabela e golashënuesve më të mirë të Mallorcas në një sezon të vetëm:
27 gola: Dani Güiza (2007-08)
21 gola: Vedat Muriqi (2025-26) (ka ende 7 ndeshje të mbetura)
19 gola: Magdaleno (1986-87)
18 gola: Diego Tristán (1999-00)
17 gola: Samuel Eto’o (2003-04)
KOHA JONË SONDAZH

