Thierry Henry: Spanja ekipi i mbushur me yje, të kënaq syrin kur i sheh
Thierry Henry nuk ka asnjë dyshim për meritën e Spanjës në triumfin e fundit në Kupën e Botës. Në një intervistë për “AS”, ish-sulmuesi francez vlerësoi maksimalisht “La Roja”-n, duke e cilësuar si skuadrën më të mirë të turneut.
Sipas Henry, suksesi i Spanjës nuk erdhi falë një lojtari të vetëm, por si rezultat i një identiteti të qartë dhe forcës së grupit.
“Skuadra është ylli i vërtetë”, u shpreh ish-kampioni i botës, duke theksuar etikën e punës, mentalitetin dhe mënyrën se si përfaqësuesja spanjolle vendos kolektivin mbi individualitetet.
Henry, i cili e njeh mirë forcën e Spanjës, kujtoi edhe përballjet e tij ndaj “La Roja”-s: “Kam humbur të gjitha ndeshjet e mëdha kundër Spanjës. Skuadra më e mirë fitoi Botërorin. Ishte një demonstrim force”.
Ish-futbollisti i Arsenalit dhe Barcelonës vlerësoi gjithashtu organizimin mbrojtës të Spanjës. “Ajo dominoi me dhe pa topin. Është një spektakël për sytë”, tha ai, duke veçuar presionin e lartë dhe aftësinë për t’u lejuar kundërshtarëve shumë pak goditje në kuadrat.
Henry përmendi edhe një ndërhyrje vendimtare të Pau Cubarsí si simbol të shpirtit kolektiv, duke argumentuar se kjo gjeneratë e Spanjës e bën edhe më të dukshme forcën e sistemit të saj të lojës.

