Thirrjet diskriminuese ndaj Serbisë, zbulohet shkaku pse u dënua Shqipëria
FIFA vendosi të penalizojë Shqipërinë me mbylljen e 20% të kapacitetit të stadiumit “Arena Kombëtare” në ndeshjen e ardhshme ndaj Serbisë, për shkak të sjelljes së pahijshme të një grupi tifozësh gjatë përballjes me Andorrën.
Vendimi disiplinor vjen pas konstatimeve të delegatit të ndeshjes, i cili ka evidentuar thirrje diskriminuese në sektorin N103 të stadiumit, ku ishin të vendosur grupimet e njohura “Tifozat Kuq e Zi” dhe “Iliryan Elite”.
Në minutat e para të ndeshjes, një grup prej rreth 50 tifozësh ka kënduar slogane me përmbajtje urrejtjeje dhe dhune kundër Serbisë, si “Vriti, vriti serbët” dhe “Vrite, shkatërroje, Serbinë masakroje”.
Thirrjet, që zgjatën 15 deri në 20 sekonda, janë regjistruar dhe më pas përkthyer në anglisht, duke u përfshirë në raportin zyrtar të delegatit.
Dokumenti thekson se incidenti nuk është përsëritur gjatë ndeshjes dhe nuk pati ndërhyrje apo reagim nga lojtarët, arbitrat apo zyrtarët në fushë. Megjithatë, ngjarja është konsideruar shkelje e rëndë e Kodit Disiplinor të FIFA-s, për nxitje të urrejtjes etnike dhe dhunës.
Federata Shqiptare e Futbollit është njoftuar për hetimin më 2 prill, ndërsa sanksioni është bërë zyrtar pak ditë më vonë.



KOHA JONË SONDAZH

