“Tifozat Kuq e Zi”: Lajmi ndaj himnit serb, jo i vërtetë
Spekulimet e tifozëve të ndryshëm, komentet në rrjetet sociale apo qëndrimet individuale rreth ndeshjes Shqipëri-Serbi, kanë detyruar grupimin “Tifozat Kuq e Zi” të dalin me një njoftim të ri, teksa kanë deklaruar se nuk kanë bërë asnjë organizim për momentin, pasi gjithçka po studiohet. Ndërkohë, ky grupim thotë se nuk është e vërtetë se do të ketë një skenar për himnin serb, që shumë media e kanë publikuar sikur do t’i kthehet kurrizi në momentin që do të dëgjohet ai. Ja sqarimi i “Tifozave Kuq e Zi”:
“Kohëve të fundit kanë qarkulluar shumë lajme të pavërteta rreth organizimeve të Tifozave Kuq e Zi për ndeshjen e 8 tetorit, Shqipëri-Shkije (Serbi). Njoftojmë opinionin e gjerë se asnjë lajm sa i përket koreografisë, veshjeve, vendosjes së banderolave apo edhe qëndrimit ndaj himnit të shkijeve nuk është i saktë. Qëndrimet zyrtare të grupimit Tifozat Kuq e Zi postohen në faqen zyrtare dhe në uebfaqen www.tifozatkuqezi.com.Gjithashtu të drejtën e prononcimit rreth organizimeve e kanë përfaqësuesit e autorizuar për media. Ju faleminderit për mirëkuptimin!”
Nga burime të “telesport.al”, mësohet se këtij grupimi i është rezervuar një numër i konsiderueshëm biletash, por pa dhënë numrin e saktë. “Tifozat Kuq e Zi” nuk kanë munguar në asnjë ndeshje që ka zhvilluar Kombëtarja shqiptare që nga momenti që janë krijuar, madje edhe në transferta të largëta, në Islandë, Gjeorgji, Bjellorusi apo vende të tjera. Madje bën përshtypje se “Tifozat Kuq e Zi” bëjnë thirrje edhe për të ndjekur ndeshjen e fundit Armeni-Shqipëri. Çdo njoftim i grupit do të bëhet publik. Nga ana tjetër, ky tifo-grup denoncoi veprimet e policisë në ndeshjen me Portugalinë, teksa u përdhosën simbolet kombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

