Tifozët e Juventusit dashurohen me Zhegrovën për vetëm 10 minuta
Edon Zhegrova u kthye në protagonist absolut në sfidën spektakolare mes Juventusit dhe Borussia Dortmund, e mbyllur me rezultatin 4-4. Futbollisti 25-vjeçar, i cili deri pak ditë më parë dukej se nuk do të ishte as në listën e të grumbulluarve për shkak të problemeve fizike, hyri në fushë në minutën e 87-të dhe në vetëm 10 minuta arriti të ndryshojë fatin e ndeshjes.
Me një driblim karakteristik, ai shërbeu topin për Dusan Vlahovic, i cili nisi aksionin e golit të barazimit në minutën e 96-të. Pak çaste më pas, edhe Kelly gjeti rrugën e rrjetës pas një asistimi nga serbi, në një aksion të iniciuar nga Zhegrova.
Ky ishte një çlirim i madh për ish-lojtarin e Lille, i cili sezonin e kaluar vuajti gjatë nga pubalgjia dhe kishte humbur vazhdimësinë. Përkundër dyshimeve, gjendja e tij fizike është përmirësuar më shpejt se parashikimet dhe Igor Tudor vendosi ta ftonte, jo thjesht për numër, por sepse besonte se mund t’i duhej në momente vendimtare dhe kështu ndodhi.
Shanset janë që edhe nesër ndaj Veronës Zhegrova të marrë minuta, ndoshta më shumë se ndaj Dortmundit. Një aktivizim titullar duket ende i parakohshëm, por për kosovarin, rikthimi në fushë pas muajsh të vështirë është tashmë një fitore më vete. Pjesa tjetër do t’i takojë një sezoni ku ai synon të rikthehet vendimtar, ashtu siç tregoi edhe në Champions League. /R.Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

