Tifozët japonezë japin sërish shembull në Botëror, pastrojnë stadiumin pas ndeshjes me Holandën
Tifozët e Japonisë kanë tërhequr edhe një herë vëmendjen e botës me sjelljen e tyre shembullore gjatë Kupës së Botës 2026, duke pastruar tribunat e stadiumit menjëherë pas përfundimit të ndeshjes ndaj Holandës.
Pas barazimit spektakolar 2-2 në Grupin F, të zhvilluar në stadiumin AT&T në Arlington të Teksasit, mbështetësit e “Samurajve Blu” qëndruan në vendet e tyre për të mbledhur mbeturinat dhe për të pastruar zonat ku kishin ndjekur takimin.
Pamjet e tifozëve japonezë duke përdorur qese blu për grumbullimin e mbeturinave u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale. Ironikisht, të njëjtat qese që pak minuta më parë valëviteshin me entuziazëm në festën e golit të barazimit të Japonisë në minutat e fundit të sfidës, u përdorën më pas për pastrimin e tribunave.
Ky gjest tashmë është kthyer në një traditë të njohur të tifozëve japonezë. Për herë të parë, bota u njoh me këtë kulturë gjatë Kupës së Botës “Francë 1998”, kur Japonia mori pjesë për herë të parë në një Botëror. Që prej asaj kohe, tifozët japonezë kanë vazhduar të japin të njëjtin shembull në çdo turne të madh ndërkombëtar ku ndjekin kombëtaren e tyre.
Veprimi i tyre është vlerësuar vazhdimisht nga organizatorët, tifozët e kombëtareve të tjera dhe mediat ndërkombëtare, duke e bërë Japoninë jo vetëm një model në fushën e lojës, por edhe në kulturën sportive dhe respektin ndaj ambienteve publike.
KOHA JONË SONDAZH

