Tifozi anglez planifikon të shesë shtëpinë për të ndjekur “Tre Luanët” në Botërorin 2026
Një histori e pazakontë vjen nga Anglia, ku një tifoz i përkushtuar i përfaqësueses angleze po mendon të shesë banesën e tij për të financuar udhëtimin në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Bëhet fjalë për Endi Miln, 62 vjeç, ish-mësues i pensionuar nga Çeshire, i cili deklaron se është gati të shesë shtëpinë e tij për rreth 350 mijë paund (rreth 465 mijë dollarë), në mënyrë që të ndjekë nga afër turneun më të madh të futbollit në botë.
Miln nuk është një tifoz i zakonshëm. Ai pritet të jetë pjesë e Botërorit për herë të dhjetë në karrierën e tij si mbështetës i Anglisë, duke përfshirë nëntë edicione të kombëtares së meshkujve dhe Botërorin e femrave në vitin 2023. Me kalimin e viteve, ai është kthyer në një figurë të njohur mes tifozëve anglezë, shpesh i fotografuar me një replikë të trofeut të Kupës së Botës.
Aktualisht, Miln jeton në Tajlandë dhe jep me qira pronën e tij në veri të Anglisë. Megjithatë, ai thotë se është momenti i duhur për ta shitur atë, për të përmbushur ëndrrën e tij të fundit si tifoz i zjarrtë.
“E nxjerr në shitje sepse dua të shkoj në Botëror. Kam një shtëpi tjetër prej 27 vitesh dhe duket momenti i duhur për ta monetizuar. Dua patjetër të ndjek gjithë turneun. Do të nisem më 3 qershor për në SHBA dhe do të qëndroj rreth shtatë javë. Do të më kushtojë shumë”, është shprehur ai për gazetën Mirror.
Pavarësisht kostove të larta, ai thotë se do të përpiqet të kursejë sa më shumë gjatë udhëtimit, duke u mbështetur edhe te rrjeti i miqve që ka në Amerikën e Veriut.
“Gjithmonë përpiqem t’i bëj gjërat sa më lirë. Do të kursej në akomodim sa herë të mundem. Kam miq në Meksikë, Dallas dhe Vankuver, kështu që kjo më ndihmon”, ka shtuar Miln.
Sipas planit të tij, ai do të ndjekë nga afër ndeshjet e grupit të Anglisë, përfshirë debutimin më 17 qershor në Dallas, më pas sfidën më 23 qershor në Masaçusets dhe ndeshjen e fundit të grupit më 27 qershor në Nju Xhersi.
Ndërkohë, turneu tashmë është shoqëruar me polemika për çmimet e larta të biletave dhe kostot e udhëtimit. Grupet e tifozëve kanë kritikuar ashpër organizatorët, duke i akuzuar për rritje ekstreme të çmimeve, që në disa raste shkojnë deri në mijëra paund për ndeshjet më të rëndësishme.
KOHA JONË SONDAZH

