“Time”, Kelmendi: Shqipëria dhe Kosova një, përfaqësova popullin tim
Historia e suksesit që arriti xhudistja Majlinda Kelmendi në lojrat olimpike në Brazil, ka rritur interesimin e shtypit të huaj, të cilat shkruajnë me nota pozitive për kampionen e ”Artë”. Së fundmi prestigjiozja ”Time”, në një intervistë me sportisten nga Kosova, zbulon emocionet dhe përgjegjësitë e Pejanes në Rio 2016.
Kelmendi është shprehur se: “Ishte një moment i madh, kam ëndërruar gjithmonë për të, por ende nuk mund të besoj se ka ndodhur. Kam parë se të gjithë në Kosovë janë duke festuar. Nuk mund ta imagjinoj se çfarë festimesh do të mbahen kur të shkoj në shtëpi.”
E lumtur për medaljen e artë, Kelmendi ka shtuar se ndiehet shumë e lumtur që i solli shqiptarëve trofeun. “Familja ime është shumë e lumtur dhe unë i kam gëzuar duke i bërë ata krenarë, sidomos prindërit e mi – shprehet ajo – Për një kohë të gjatë atletët kosovarë nuk kanë pasur mundësi për të përfaqësuar vendin tonë, kështu që është e paimagjinueshme që tashmë kemi një medalje të artë.”
“Time” shkruan se si shumica e sportistëve të Kosovës, Kelmendi zgjodhi të bashkohet me ekipin shqiptar në 2012-ën por nuk arriti deri tek raundet e medaljeve. “Nuk ndihem në konflikt mes Shqipërisë dhe Kosovës – thotë Majlinda – Ne jemi një popull. Unë kam përfaqësuar të gjithë popullin tim. ”
Majlinda duket se ka pasur mbështetjen e popullit shqiptar dhe mediat vendase e kanë konsideruar këtë fitore si “arritje historike që ka shkruar historinë e artë”, vazhdon shkrimi i “Time-s”.
KOHA JONË SONDAZH

