Tirana dhe Elbasani ndajnë pikët në një barazim spektakolar
Tirana dhe Elbasani kanë ndarë nga një pikë në përballjen e javës së kampionatit, pas barazimit spektakolar 2-2 në “Selman Stërmasi”. Miqtë e nisën më mirë takimin dhe kaluan në avantazh në minutën e 23-të. Ardit Nikaj përfitoi nga aksioni i verdhebluve dhe dërgoi topin në rrjetë për 0-1.
Tirana reagoi shpejt dhe vetëm shtatë minuta më vonë gjeti golin e barazimit. Redon Xhixha ishte autori i golit, duke rikthyer ekuilibrin në rezultat. Elbasani nuk u dorëzua dhe në minutën e 37-të riktheu avantazhin. Mazari shënoi golin e dytë për verdheblutë, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej 1-2.
Në fraksionin e dytë, Tirana u hodh menjëherë në kërkim të barazimit dhe e gjeti atë në minutën e 54-t. Pas një aksioni të bukur, sërish Xhixha u shfaq në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke kompletuar dopietën personale dhe duke vendosur shifrat në 2-2.
Në minutat e mbetura, të dyja skuadrat tentuan të gjenin golin e fitores, por pa sukses. Pas këtij rezultati, Tirana renditet në vendin e gjashtë me 5 pikë, ndërsa Elbasani mban vendin e pestë me 6 pikë.

