Tirana dhe Partizani e nisin vitin 2015 pa stadium, nuk është gati “Qemal Stafa”
Ekipet e kryeqytetit, Tirana e Partizani, nuk do të kenë asnjë stadium gati, me nisjen e sezonit, pasi përveç rikonstruksionit të stadiumit “Selman Stërmasi”, që do t’i duhet kohë, edhe punimet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” nuk kanë ecur me ritmet e duhura. Stadiumi Qemal Stafa nuk do të jetë gati për javët e para të fazës së tretë, sepse punimet për të shtruar tapetin e gjelbër nuk kanë shkuar sipas parashikimeve. Drejtori i këtij stadiumi, Eduard Prodani, se punimet nuk kanë ecur në ritmet e duhura, për shkak të kushteve klimaterike. Sakaq, rikonstruksioni i këtij stadiumi duket se është shtyrë për një kohë tjetër, ashtu siç ka ndodhur shpesh gjatë viteve të fundit. – “Jemi prapa me punimet por jo për fajin tonë. Është çështje biologjike, pasi tapeti do të vijë nga Greqia aty ku ditët e fundit ka pasur ngrica. Kështu është shtyrë data për të ardhur tapeti i ri, i cili do të vijë në Shqipëri në fillim të javës së ardhshme,” – theksoi Prodani. Një shtyrje e afatit për tapetin e gjelbër detyrimisht do të bëjë që klubet e kryeqytetit të mos luajnë ndeshjen e parë në shtëpi. Prodani konfirmon diçka të tillë, duke evidentuar që nuk do të ketë ndërhyrje të tjera të mëdha në ndërkombëtarin “Qemal Stafa”. – “Normalisht në këtë situatë që jemi, stadiumi nuk mund të jetë gati në rifillimin e kampionatit. Sigurisht që fusha erdhi si një investim i federatës në bashkëpunim me klubet. Nuk do të ketë më ndërhyrje të mëdha me përjashtim të ndonjë gjëje të vogël si për shembull lyerja e shkallëve.” Sipas kalendarit Partizani do të ketë dy ndeshjet e para në transfertë, ndërsa Tirana do të presë Apoloninë dhe më pas Flamurtarin. Të kuqtë mund të përurojnë tapetin e ri të stadiumit “Qemal Stafa”, në përballjen e fazës së tretë ndaj Skënderbeut.
KOHA JONË SONDAZH

