Tirana fiton me 10 lojtarë ndaj Partizanit, Xhixha është “mbreti” i derbit (VIDEO)
Tirana nuk ka ndërmend të ndalet në “Air Albania” duke fituar një tjetër derbit kundër Partizanit. Edhe pse me 10 futbollistë për një pjesë loje bardheblutë, ia dolën që të merrnin një sukses 2-0, falë dy golave të Redon Xhixhës.
Sulmuesi do të humbiste një penallti në minutën e 25-të, teksa do të ndalej nga portieri Rexhepi. Në minutën e 37-të, Lulaj la Tiranën me një futbollist më pak pasi u ndëshkua me karton të kuq.
Gjithsesi skuadra e Shehi do të arrinte që të gjente golin e avantazhit në shtesën e pjesës së parë më Xhixhën, që përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit Rexhepi. Në pjesën e dytë Partizani tentoi me të gjitha mënyrat që të barazonte, por në kundërsulm Redon Xhixha i ndëshkoi me një kundërsulm fantastik.
Për t’u shënuar dhe fakti që u ndërpre ndeshja në dy raste për shkak të hedhjes së sendeve në fushë ndaj portierit të Tiranës. Bardheblutë ngjiten në vendin e dytë me 11 pikë, 1 më pak se Partizani. /R.Lika-Koha Jonë/