Tirana, rikthehet Bakaj, mungon Karabeci
Tiranës i duhet të gjejë kthesën në ndeshjen me një kundërshtar të fortë si Kukësi, por misioni në debutim për trajnerin Ilir Daja nuk do të jetë aspak i lehtë. Timonieri i ri i Tiranës nuk do të ketë të disponueshëm për ndeshjen me verilindorët, një futbollist të rëndësishëm për mesfushën si Erando Karabeci i cili ka plotësuar numrin e kartonave, por ndërkohë do të mund të mbështetet te shërbimet e Elis Bakajt që rikthehet pas mungesës për shkak skualifikimi ndaj Vllaznisë për ti shtuar fantazi dhe opsione sulmit bardheblu. Dyshimet e trajnerit për sa i përket gjendjes së grupit kanë të bëjnë me Erjon Vucaj, që nuk dihet nëse do të jetë gati për ndeshjen me Kukësin. Mesfushori 24-vjecar sic bën të ditur vetë klubi bardheblu në një komunikatë për shtyp, po vijon ende terapinë për tu rehabilituar nga dëmtimi muskulor dhe me sa duket janë të pakta gjasat që tja dalë për të qenë i gatshëm për ndeshjen me Kukësin. Për sa i përket pjesës tjetër, buletini mjekësor i Tiranës, shpjegon se është i pamundur rikuperimi për këtë fundjavë edhe për të dëmtuarit afatgjatë, Ervin Bulku, Gjergji Muzaka dhe Ronald Gërcaliu, që mbeten kështu jashtë planeve të Dajës për ndeshjen e debutimit ndaj Kukësit.
KOHA JONË SONDAZH

