Tirana shkatërron Vllazninë në klasiken e futbollit shqiptar (VIDEO)
Tirana hedh një tjetër hap drejt titullit kampion këtë sezon në Kategorinë Superiore. Skuadra e Emanuel Egbo u rikthye në rrugën e fitoreve pas humbjes kundër Teutës, duke fituar klasiken ndaj Vllaznisë në shifrat 3-0. Në “Selman Stermasi” bardheblutë treguan supermacinë e tyre kundër kuqebluve duke shënuar dy gola në harkun e 6 minutave në fraksionin e parë. Pas një episodi të dyshimtë të një prekje të Bathës me dorë brenda zonës, Tirana gjeti forca për të shtuar aksionet sulmuese.
Në minutën e 30-të, pas një dalje të bukur të Ngoo në krahun e djathtë, Torassa e ka të thjeshtë për ta shtyrë “sferën” në fundin e rrjetës. 6 minuta më pas, sulmuesi anglez do të shënonte vetë pasi u vendos përballë portierit. Në fundin e pjesës së parë, Hoxhallari mori kartonin e dytë të verdhë pas një simulimi, duke lënë skuadrën e tij me një futbollistë më pak në fushë.
Disavantazhi numerik gjithsesi nuk do të ndikonte aspak në lojën e bardhebluve, që arritën që të gjenin edhe një tjetër gol me Cale, që u kujdes ta dërgonte topin në trekëndësh. Rezultati nuk do të ndryshonte deri në fund, me Tiranën e Egbo që ruan kryesimin me 62 pikë, 9 më shumë se Kukësi që sfidon Laçin të shtunën. Vllaznia ndërkohë bie në zonën e “Play Off”, ku duhet të luajë një ndeshje shtesë për të mbijetuar mes më të mirëve. /R.Lika-Koha Jone/