Tjetër sukses, Luiza Gega e dyta në Dortmund
Luiza Gega arriti një tjetër rezultat të mirë në salla të mbyllura. Atletja shqiptare u rendit e dyta në garën e 3000 metrave në Mitingun e Dortmundit. Gega e kaloi finishin me kohën 8 minuta, 52 sekonda e 59 të qindat, duke lënë pas një rivale të hershme si gjermania Gesa Krause.
Një tjetër garë përgatitore kjo e Luiza Gegës para synimeve madhore si kampionati europian në Paris dhe Lojërat Olimpike në Tokio, aktivitete që do të zhvillohen gjatë verës. Të dielën arriti sukses edhe një tjetër atlete shqiptare. Redia Dauti u shpall nënkampione e Ballkanit U20 në 1500 metra në salla të mbyllura në kampionatin e mbajtur në Stamboll.
16-vjeçarja e cila ishte më e vogla në këtë garë vendosi kohën 4 minuta, 53 sekonda e 29 të qindat. Një rezultat i mirë për një sportiste të perspektivës, e cila është familjare e Luiza Gegës.