“Topi nën pushtetin e tyre”, libri më i ri i Skifter Këlliçit
Pas një jete në mikrofonin e Radiotelevizionit Shqiptar dhe me një pasion të pandarë për letërsinë dhe sportin, gazetari, publicisti dhe shkrimtari Skifter Këlliçi ka sjell për të gjithë dashamirësit e sportit librin me kujtime “Topi nën pushtetin e tyre”. Më poshtë po ju sjellim disa nga fragmentet e librit, duke e nisur nga fillimet në Rubrikën Sportive në Radio.
“Aty nga fillimi i dhjetorit të vitit 1958 u kujtova se, ende nxënës gjimnazi, i kisha dërguar Radio Tiranës një letër ku kërkoja që “Kronika Sportive” të jepej rregullisht çdo të hënë në Radio dhe jo një herë po, dhe… tri herë jo, siç kishte ndodhur. Dhe nuk kisha marrë përgjigje. Por tani nuk kisha nevojë për të dërguar letra, sepse redaktorët e që përgatitnin emisionet e lajmeve duke përfshirë edhe lajmet sportive, që jepeshin në fund të lajmeve, tashmë i njihja mirë. Të tillë ishin shefi i redaksisë së informacionit saj, Hysen Pojani, Koço Stillo, Masar Bekteshi, Margarita Jançe … Isha student i vitit të katërt dhe të fundit i Histori-Filologjisë, të cilin do ta përfundoja në qershor të vitit të ardhshëm. Por ngarkesa mësimore tashmë ishte më e lehtë, sepse lëndët më të vështira i kishim lënë pas. Kështu që kisha kohë të lirë, veçanërisht të shtunave, kur bënim vetëm katër orë leksione, kryesisht të metodikave të mësimdhënies.
Ndaj, pa ngurruar, i thashë Pojanit “po”. U vendos që “Rubika Sportive” prej 20 minutash të jepej çdo të dielën, në orën 20.30. Ajo do të përfshinte së pari rezultatet e ndeshjeve dhe veprimtarive sportive në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Pjesa e dytë plotësohej nga matriale jo aktuale: artikuj për kalitjen fizike të masave, që ishin të mërzitshme, kuriozitete, portrete sportistësh, të cilat do të regjistroheshin që të shtunën në një bobinë, që pastaj ta dërgoja në studion e transmetimit, për t’u transmetuar të dielën, pas leximit të lajmeve sportive të së dielës. Deri këtu puna zuri të shkonte fjollë. Por me spec ishte marrja e rezultateve të ndeshjeve në qytete të tjera ku të dielave zhvilloheshin ndeshjet e kampionatit të futbollit, për të cilat jo rrallë hiqja të zitë e ullirit.
Komentinimi për herë të parë në stadium
Kjo ndodhi në ditën e fundit të mbylljes së Spartaiadës së Parë Kombëtare në Stadiumin ”Qemal Stafa”, kudo të zhvillohej finalja e turneut të futbollit midis “Dinamos” dhe “Besës” së Kavajës, (tetor 1959). Ndodhesha para mikrofonit, por jo në studion e Radio Tiranës ku në një ditë të gushtit të vitit të kaluar, me aq drojë kisha nisur të lexoja lajmet, se mos më merrej goja, ose mos ngecja, siç i thonin, dhe, për më tepër, se mos ngatërroja një fjalë me një tjetër, siç i kishte ndodhur një folësi që në vend që të thoshte: “Vendimet historike…”, kishte nisur të thoshte: “Vendimet hister…”, por ishte përmendur vetëtimthi dhe e kishte ndrequr llafin në: ”Vendimet historike të partisë”. Dhe, megjithatë, e kishte hedhur lumin vetëm me një “vërejtje me paralajmërim” dhe mandej për pushim dhe procedim penal, në rast se do ta përsëriste.
Në studion e Radios pas mikrofonit shihja një dritare të vockël me xhama të dyfishte dhe hapësirë midis tyre, nga ku dukej vetëm koka e teknikut që qëndronte para pultit. Ndryshe nga leximi për herë të parë plot zemërdridhje i lajmeve para mikrofonit në studion e radios, siç kam përmendur, ku ndjeja se Vera Zheji ose Feride Spahiu, pranë meje, jepnin kurajë, në kabinën e komentimit, e ndieja veten të shpenguar. Arsyeja ishte se nuk kisha drojtje as se mos ngecja, as se mos lexoja një fjalë për një tjetër, sepse unë do të komentoja një ndeshje që e shihja me sy, pra fjalët do të më dilnin nga goja, për të përshkruar lëvizjet e lojtarëve në fushë, por… mundësisht, pa ngatërruar njërin me tjetrin. Por edhe kjo nuk ishte mëkat i madh, sepse dëgjuesi i radios këtë nuk e merrte vesh. (Puna, ama ndryshoi, kur doli..televizori, sepse kishte nga ata “të prapë”, që për të parë se mos ne radio-komentatorët ia “fusnim kodra pas bregut”, gjatë ndeshjes ngrinin dhe zërin e radios dhe vërenin se kishte raste kur ne, vërtet nuk arrinim ta ndiqnim ndeshjen si duhet).
Nuk po zgjatem të përshkruaj ç’ngjau gjatë komentim gjatë kësaj ndeshjeje që u fitua nga ”Dinamo”. Por, ngaqë ishte hera e parë që pas zërit të Mazrekut dhe Bellovës dëgjohej dhe zëri i një “zogu” të ri, përshtypjet qenë nga më të ndryshmet. Disave ky zë iu duk një si cicërimë e këndshme të tjerëve si krakaritje…. Madje, pati nga ata të cilëve iu duk ka si i se flisja labërishte, siç na qenkej shprehur edhe dikush nga Byroja Politike. Ç‘absurditet! … Rëndësi kishte që ata të redaksisë së informacionit, gazetarë të tjerë të Radios , dhe shokë të mi, nga të cilët pati disa që prekën dhe “plagën” time pra, më këshilluan të flisja më ngadalë, që të mos “haja fjalët”, pëlqyen debutimin tim të parë si komentator i një ndeshjeje futbolli.