Torassa fundos Flamurtarin, bardheblutë nuk ndalen me Egbo-n (VIDEO)
Tirana vijon momentin fantastik pas triumfit në derbin ndaj Partizanit. Bardheblutë fituan 2-0 ndaj Flamurtarit, duke rrëmbyer suksesin e dytë radhazi, për t’u ngjitur në vendin katërt në renditje.
Pas një pjese të parë ku Muçi humbi dy mundësi të mira në portën e Moçkës, skuadra e drejtuar nga Egbo do të arrinte që të zhbllokonte gjithçka në pjesën e dytë. Torassa bëhet protagonist në minutën e 64-t, duke arritur që të fitojë një penallti, edhe pse pengimi ndaj tij filloi në hyrje të zonës. Miqtë protestuan shumë për këtë rast, por arbitri ishte i vendosur.
Batha do të tregohej i saktë nga pika e bardhë, ndërkohë që 10 minuta më pas do të ishte sërish braziliani Torassa, i cili do të shënonte një gol spetkakolar me një goditje fluturimthi në zonë, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit. Deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte, me Tiranën që duket se ka gjetur ritmin e duhur nën drejtimin e Egbo, i cili është emëruar si trajner i përkohshëm, por po bën një punë mjaft të mirë. /Rozalb Lika-Koha Jone/