Torino mendon për revolucion në mbrojtje, Ismajli është pika e vetme e sigurt
Torino po përgatitet për një rindërtim të thellë të repartit defensiv pas një sezoni zhgënjyes, ku skuadra pësoi plot 63 gola, një statistikë alarmante që e vendosi mes mbrojtjeve më të dobëta të kampionatit, duke bërë më mirë vetëm se Pisa e rënë nga kategoria.
Problemet në prapavijë kanë qenë të dukshme gjatë gjithë sezonit, me humbje të rënda ndaj skuadrave si Interi dhe Como që simbolizuan vështirësitë e një reparti që ka humbur stabilitetin dhe identitetin pas largimeve të rëndësishme si Bremer, Buongiorno dhe Ricardo Rodriguez në vitet e fundit.
Për drejtuesit e klubit granata, ndryshimet në mbrojtje konsiderohen të pashmangshme. Një nga emrat që mund të largohet është Guillermo Maripan, i cili brenda pak muajsh kaloi nga titullar i padiskutueshëm në rezervë, duke e mbyllur sezonin edhe me një pezullim.
Pikëpyetje ka edhe për të ardhmen e Ebosse, i rikthyer te Udinese pas përfundimit të huazimit, si dhe për Saul Coco, i cili mund të largohet nëse mbërrin një ofertë bindëse në merkato.
Mes shumë paqartësive, një emër konsiderohet i paprekshëm: Ardian Ismajli. Mbrojtësi shqiptar shihet nga klubi si shtylla kryesore mbi të cilën do të ndërtohet prapavija e sezonit të ri dhe mbetet lojtari i vetëm me të ardhme të sigurt në repartin defensiv.
KOHA JONË SONDAZH

