
Portieri i Andorrës, Jesus Owono, është tronditur thellë nga ngjarja tragjike që i mori jetën sulmuesit të Tenerife-s, Jesús de Miguel. Sipas raportimeve të radios spanjolle Radio COPE, gardiani kishte shprehur dëshirën për t’i kërkuar privatisht falje familjes së futbollistit, përpara se të bëhej publik lajmi për ndarjen e tij nga jeta.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë përballjes mes Tenerife-s dhe Andorrës, kur Owono u përplas ashpër me De Miguel gjatë një aksioni në fushën e lojës. Sulmuesi u transportua menjëherë në spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë pas komplikacioneve të rënda shëndetësore.
Sipas Radio COPE, në kampin e Andorrës ka pasur shqetësim të madh pas asaj që ndodhi. Disa futbollistë e kanë përshkruar këtë si përvojën më të vështirë që kanë kaluar ndonjëherë në një fushë futbolli.
Burime pranë skuadrës theksojnë se nuk kishte asnjë qëllim të keq apo dëshirë për të dëmtuar kundërshtarin nga ana e portierit. Owono ishte i tronditur emocionalisht nga situata, ndërsa atmosfera në stadiumin “Heliodoro” u bë edhe më e rëndë, pasi tifozët e Tenerife-s dëgjoheshin duke thirrur në drejtim të tij: “Vrasës, vrasës!”.
Portieri thuhet se dëshironte të kontaktonte privatisht familjen e De Miguel për t’i shprehur ngushëllimet dhe për të kërkuar falje për atë që ndodhi.
