Trajneri i Armenisë, Challandes: Nuk jemi nga ato ekipe që i fitojnë ndeshjet 1-0
Pas humbjes 2-1 me Shqipërinë në “Elbasan Arena”, në ndeshjen kualifikuese “Euro 2016”, trajneri i Armenisë, Bernard Challandes thotë se skuadra e tij luajti shumë mirë, por vetëm në pjesën e parë. Ai tha më tej se Shqipëria e dominoi lojën në pjesën e dytë dhe shënoi dy herë prej presionit të lartë që krijoi në fushë. – “Ne luajtëm mjaft mirë në pjesën e parë dhe shënuam madje shumë shpejt, por në pjesën e dytë, Shqipëria u shfaq më mirë se ne. U thashë lojtarëve pas pjesës së parë të ndeshjes, se duhet të shënonin edhe një gol për ta fituar takimin. Ne nuk jemi nga ato skuadra që mund t’i fitojmë ndeshjen me rezultatin 1-0,” – theksoi Challandes për UEFA-n, pas humbjes. Trajneri zviceran shtoi më tej se shanset për të shënuar dhe për t’i dhënë fitoren Armenisë ishin deri në minutën e 70‘, por kur Hovhannes Hambardzumyan mori kartonin e dytë të verdhë, Shqipëria në superioritet numerik në fushë ia doli të përmbyste shifrat dhe të merrte tre pikët. Pas kësaj humbje, mediat armene raportojnë se trajnerit zviceran i duhet votëbesimi për të vijuar karrierën deri në fund të eliminatoreve me kombëtaren e Armenisë.
KOHA JONË SONDAZH

