Trajneri i Burnley-t i del në mbrojtje Brojës: Duhet durim, nuk ka luajtur shumë!
Trajneri i Burnley, Scott Parker, ka bërë thirrje për durim ndaj sulmuesit shqiptar Armando Broja, pas një nisjeje të vështirë te skuadra e tij e re. 24-vjeçari, i transferuar këtë verë nga Chelsea, ende nuk ka debutuar si titullar në Premier League. Deri tani, Broja ka qenë titullar vetëm në ndeshjet e Carabao Cup kundër Derby County dhe Cardiff City, ku nuk ka bindur plotësisht, duke treguar mungesë ritmi.
“Në dy vitet e fundit nuk ka luajtur shumë futboll për shkak të dëmtimeve serioze. Mendoj se të gjithë duhet të jemi shumë të qetë me Armando në këtë moment. Po, ka nevojë për më shumë punë dhe stërvitje, për minuta në këmbë. E pamë një version më të mirë të tij kundër Cardiff-it krahasuar me raundin e kaluar, por ende i mungon ritmi i duhur ,” tha Parker pas eliminimit nga Kupa ndaj Cardiff-it.
Trajneri theksoi se Broja është një element i rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës: “Armando do të jetë vendimtar për ne këtë sezon, nuk kam asnjë dyshim. Duhet ta menaxhojmë mirë dhe t’i japim kohën e nevojshme për të rikthyer formën e tij.”
Burnley u eliminua nga Carabao Cup pas humbjes ndaj Cardiff City, një disfatë zhgënjyese ndaj një skuadre të League One. /R.Lika-Koha Jonë/


KOHA JONË SONDAZH

