Trajneri i Cityt, Guardiola, kundër Rooneyt dhe Murphyt: “Festojmë si të duam”

Pep Guardiola, trajneri spanjoll i Manchester Cityt, ka reaguar ashpër ndaj kritikave “absurde” të dy figurave të njohura të futbollit anglez, Wayne Rooney dhe Danny Murphy, lidhur me festimet e ekipit të tij pas fitores 2-1 kundër Arsenalit në Premier League. Guardiola i quajti komentet e tyre “budallallëqe”, duke mbrojtur të drejtën e lojtarëve të tij për të festuar një fitore kaq të rëndësishme.
Trajneri theksoi se lojtarët festuan sepse e dinin që nëse nuk do të fitonin, shpresat për titull do të shuheshin. “Si mund të mos festonin?” pyeti ai, duke përmendur Gianluigi Donnarumma dhe Bernardo Silva si udhëheqës të festimeve. Ai shtoi se, pavarësisht respektit për kundërshtarin dhe tifozët e tij, secili duhet të festojë si të dojë dhe nuk duhet pritur fundi i sezonit për të shprehur gëzimin.
Guardiola shpjegoi se një nga arsyet kryesore të euforisë ishte vështirësia e përballjes me Arsenalin, të cilin e quajti një “makth”. “Duke parë se si luan Arsenali, u jap atyre merita të jashtëzakonshme. Na u desh të djersinim dhe të luftonim për të fituar, sepse ata kanë gjithçka,” deklaroi ai për ekipin e Mikel Artetës, duke theksuar nivelin e lartë të kundërshtarit.
Kritikat e Guardiolës iu drejtuan Wayne Rooneyt dhe Danny Murphyt, të cilët kishin bërë komente në programin ‘Match of the Day’ të BBC-së. Rooney i përshkroi festimet e Cityt si “paksa të ekzagjeruara”, ndërsa Murphy u shpreh se ishte “i befasuar” nga intensiteti i tyre, duke vënë në dukje se Arsenal ishte ende në garë për titull.
Marrë nga Marca Premier
KOHA JONË SONDAZH

