Trajneri Rosenior e nis keq aventurën tek Chelsea, gjobitet sapo shkel në Londër
Aventura e Liam Rosenior në Premier League nuk ka filluar ende zyrtarisht, por trajneri i ri i Chelsea-t është përballur që në start me një problem të papritur. Tekniku anglez është dënuar me një gjobë të konsiderueshme për tejkalim të shpejtësisë, një shkelje e kryer verën e kaluar, përpara nisjes së sezonit dhe rikthimit të tij në Angli.
Rosenior u ndalua më 7 korrik në zonën e Derbyshire për tejkalim të limitit të shpejtësisë. Atij iu ofrua mundësia për të shmangur procesin gjyqësor duke ndjekur një kurs ndërgjegjësimi për shpejtësinë, por trajneri nuk arriti të merrte pjesë. Sipas shpjegimit të tij, për shkak të mjegullës së dendur atë ditë, ai nuk mundi të udhëtonte në kohë drejt vendit ku mbahej kursi.
Për pasojë, Gjykata e Magjistratëve të Derby vendosi ta gjobisë me rreth 1 mijë euro, përfshirë edhe shpenzimet procedurale. Seanca u zhvillua më 2 janar, ndërsa Rosenior e pranoi vendimin duke theksuar se rrethanat ishin të paparashikuara. Trajneri pritet së shpejti në Londër për të firmosur kontratën afatgjatë me Chelsea-n, e vlefshme deri në vitin 2032.
KOHA JONË SONDAZH

