Transferimi kushton 2 milionë lekë, volejbollistet në protestë
Në Asamblenë e fundit të Federatës Shqiptare të Volejbollit është miratuar një klauzolë që ndikon direkt në kalimin e lojtarëve nga një ekip te tjetri. Kanë qenë shumë trajnerë të ekipeve të “vogla”, që kanë ngritur zërin dhe kanë kërkuar që skuadrat e “mëdha” dhe që kanë mundësi financiare, të mos i marrin lojtarët pa paguar. Për këtë arsye, është miratuar që transferimi i lojtarëve të volejbollit nga një skuadër në tjetrën të bëhet më pagesë. Kjo tarifë kushton 2 milionë lekë (të vjetra).
Një shumë disi e lartë për volejbollin shqiptar dhe që përfshin lojtarët e moshës 18-30 vjeç. Ndërsa lojtarët mbi këtë moshë transferohen falas dhe ata të moshës nga 14-18 vjeç me një pagesë prej 1 milionë lekësh (të vjetra), ndërkohë që tarifa e liçensës është një shumë më vete (taksë transferimi). Kjo situatë ka irrituar disi volejbollistet, të cilat po planifikojnë të kundërshtojnë këtë tarifë, duke përgatitur një peticion drejtuar Federatës së Volejbollit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
“Ne jemi një grup vajzash sportiste, volejbolliste të ekipeve më të mira në Shqipëri dhe të kombëtares shqiptare. Ju vemë në dijeni se Federata e Volejbollit ka miratuar një rregullore, që penalizon të gjithë lojtarët, duke shkelur të drejtat e volejbollistëve, në kohë kur të gjitha federatat e shteteve të botës dhe organizatat ndërkombëtare të volejbollit (FIVB dhe CEV) favorizojnë dhe në qendër të vëmendjes kanë liritë dhe të drejtat themelore të sportistit. Kjo rregullore kërkon që transferimi i një lojtari midis ekipeve të kryhet me anën e një pagese prej 2 milionë lekësh (të vjetra) si dhe të paguhet taksa prej 200 mijë lekësh (të vjetra) për licensën”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga një grup volejbollistesh.
Më tej, në këtë deklaratë thuhet: “Kjo vlerë është shumë e madhe, sa 10-fishi i rrogës minimale në Shqipëri, në një kohë që një pjesë e lojtareve paguhen me shuma qesharake, që nuk e marrin gjithë vitin këtë vlerë monetare. Miratimi i kësaj rregullore u krye në fshehtësi të plotë dhe lojtarët nuk kishin asnjë palë përfaqësuese për të mbrojtur interesat e tyre. Ne jemi në fazën që ka filluar federimi (i cili përfundon si proces në datën 1 shtator 2015) pranë ekipeve ku do të luajmë, por për momentin jemi të bllokuara nga rregullorja e re, sepse ekipet nuk kanë fonde. Për arsyet e cituara më lart, si Ministria që përfaqëson Sportin, ne si lojtare po planifikojmë të depozitojmë një peticion pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për anulimin e kësaj rregulloreje”.
Nw kwto kushte kryesia e Federatës së Volejbollit mund ta anulojë këtë vendim të marrë dhe të heqë tarifën prej 2 milionë lekësh (të vjetra). Gjithsesi, ende asgjë konkrete nuk është ndërmarrë si nga vajzat volejbolliste ashtu dhe nga kryesia e FSHV-së, ndaj dhe situata vijon ende të mos ndryshojë dhe në fuqi të jenë tarifat e reja të miratuara nga Asambleja.
KOHA JONË SONDAZH

