“Trembet” Portugalia, Santos sot në Tiranë për sfidën me Shqipërinë
Kuqezinjtë do të jenë deri më 13 qershor në pritje të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sport për ndeshjen e shumë diskutueshme me Serbinë. Kuqezinjtë synojnë të marrin tre pikët dhe nëse ia dalin, do të ngjiten në krye të Grupit I, 1 pikë para Portugalisë. Dy ekipet me më tepër pretendime në Grupin I eliminator, Portugalia e Danimarka, synojnë kualifikimin direkt në Euro 2016, por një fitore e mundshme e kuqezinjve në tavolinë kërcënon pozitat si të portugezëve, ashtu edhe të danezëve. Me ose pa tri pikët e Lozanës, përfaqësuesja kuqezi ka shanse reale edhe për vendin e tretë. Megjithatë matematika e lejon të pretendojë edhe dy vendet e para dhe mjafton një fitore tjetër me Portugalinë në fushën tonë.
Portugalia
Tashmë skuadra e Cristiano Ronaldos duket se i trembet Shqipërisë. Portugalia, që ende po qan humbjen në Aveiro, 1-0, në ndeshjen e parë kualifikuese me kuqezinjtë, dhe aq më tepër që takimi i dytë në grup me luzitanët do të zhvillohet në “Elbasan Arena” më 7 shtator, vetëm 3 ditë pas transfertës së Shqipërisë me Danimarkën, ka nisur të mendojë më shpejt për këtë ndeshje. Trajneri portugez Fernando Santos, ka preferuar të jetë personalisht në tokën shqiptare për të parë kushtet e akomodimit si dhe impiantin ku do të zhvillohet ky 90-minutësh. 60-vjeçari ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit në orët e vona të së mërkurës, nga ku është nisur menjëherë drejt hotel “Sheraton”. Portugalia do të akomodohet në këtë hotel, për ndeshjen me kuqezinjtë. Në programin e Santos është edhe një vizitë në “Elbasan Arena”, për të parë gjendjen e terrenit të këtij impianti. Edhe pse është praktikë që kushtet e akomodimit dhe prenotimet të bëhen nga zyrtarët e Federatës, Santos ka preferuar që të merret vetë më këtë çështje, duke parashikuar që Shqipëria mund të jetë një rival i drejtpërdrejtë i Portugalisë për një biletë në fazën finale të “Francë 2016”.
Grupi I
Danimarka, ndaj së cilës do të luajmë në transfertë ka deri tani 7 pikë, aq sa edhe ekipi ynë përfaqësues. Portugalia ka 9 pikë, por do të përballet me kuqezinjtë në fushën tonë. Kualifikimi i Shqipërisë do të varet edhe nga rezultatet e dy ndeshjeve të mbetura eliminatore, me dy ekipet e fundit të Grupit I. Armenia ka vetëm një pikë, ndaj së cilës do të luajmë në transfertë dhe Serbia ka po 1 pikë, por do ta presim në muajin tetor, në fushën tonë. Nëse KAS nuk ndryshon vendimin, Shqipëria do të mbetet me 7 pikë, por rikthimi i 3-pikëshit në tavolinë, mund të favorizonte ndejshëm kuqezinjtë për kualifikimin direkt, duke lëkundur kësisoj pozitat e Portugalisë e të Danimarkës. Serbia dhe Armenia thuajse praktikisht nuk kanë më shanse kualifikimi.
KOHA JONË SONDAZH

