Tronditet Brazili, humbet Raphinha për sfidën ndaj Norvegjisë

Brazili do të duhet të bëjë pa Raphinhan edhe në ndeshjen e fazës së 1/8-ave të Kupës së Botës 2026 kundër Norvegjisë. Sulmuesi i Barcelonës nuk ka arritur të rikuperohet plotësisht nga dëmtimi muskulor dhe është konfirmuar si mungesë për sfidën e së dielës.

Sipas të përditshmes spanjolle “Mundo Deportivo”, gjendja fizike e 28-vjeçarit nuk është ende në nivelin e duhur për t’u rikthyer në fushë. Megjithatë, ekziston mundësia që ai të jetë gati për çerekfinalet, nëse Brazili siguron kualifikimin.

Raphinha pësoi një dëmtim në muskujt e kofshës gjatë ndeshjes ndaj Haitit, duke u detyruar të largohej nga fusha para përfundimit të pjesës së parë. Më pas, Konfederata Braziliane e Futbollit konfirmoi natyrën e dëmtimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Që nga ai moment, sulmuesi ka munguar në përballjen ndaj Skocisë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, si edhe në suksesin e Brazilit ndaj Japonisë në 1/16-at e finales.

Swiss Digital Mobile Reklama

Raportohet se stafi mjekësor i Barcelonës po ndjek nga afër gjendjen e futbollistit në bashkëpunim me ekipin mjekësor të kombëtares braziliane, pasi Raphinha ka vuajtur disa dëmtime muskulore gjatë këtij viti, të cilat kanë ndikuar në vazhdimësinë e tij.

Futbollisti zhvilloi stërvitje të veçanta për të vlerësuar gjendjen fizike, por kontrollet përfundimtare treguan se ai nuk është ende gati për t’u aktivizuar ndaj Norvegjisë, pavarësisht dëshirës së trajnerit Carlo Ancelotti për ta pasur në dispozicion në këtë ndeshje vendimtare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?