Tuchel dhe Kane sfidojnë Messin: Do të bëjmë gjithçka për ta ndalur Argjentinën dhe për të arritur finalen

Anglia është gati për një nga sfidat më të rëndësishme të viteve të fundit. “Tre Luanët” përballen me Argjentinën në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, ndërsa trajneri Thomas Tuchel dhe kapiteni Harry Kane kanë bërë të qartë se objektivi kryesor është ndalimi i Lionel Messit dhe sigurimi i një bilete për në finale.

Messi, i cili ka realizuar tetë gola në këtë Botëror dhe synon të fitojë titullin e dytë radhazi kampion bote, konsiderohet rreziku më i madh për anglezët. Në krahun tjetër, Harry Kane dhe Jude Bellingham, të dy me nga gjashtë gola, do të udhëheqin sulmin e Anglisë në përpjekje për ta çuar kombëtaren në finalen e parë të Botërorit pas 60 vitesh.

Trajneri Thomas Tuchel, i cili nuk është përballur kurrë më parë me një skuadër të drejtuar nga Lionel Messi, e vlerësoi maksimalisht yllin argjentinas.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Është e pabesueshme se si ai arrin gjithmonë të bëjë diferencën, në mënyra të ndryshme. Gjen hapësirat, zgjedh momentet e duhura dhe e gjithë skuadra luan për ta mbështetur. Ne duhet të jemi të guximshëm dhe t’i ndërpresim mbështetjen që merr nga shokët e ekipit. Messi është ndryshe nga Erling Haaland, por ndaj Haalandit bëmë një punë të mirë dhe tani do të gjejmë një mënyrë edhe për Messin”, deklaroi tekniku gjerman.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe kapiteni Harry Kane pranoi se Messi mbetet një nga futbollistët më të mirë të historisë, por theksoi se Anglia nuk duhet të fokusohet vetëm te ai.

“Ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë në botë, në mos më i miri, për afro 20 vjet. Të gjithë e dinë sa i rrezikshëm është. Por ne luajmë kundër Argjentinës, jo vetëm kundër Messit. Ata janë një skuadër e madhe me futbollistë fantastikë. Edhe pse vëmendja është te Messi, ne e dimë se forca e tyre është kolektivi”, u shpreh Kane.

Sulmuesi i Bayern Munich e cilësoi përballjen si një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës së tij.

“Është një rast i jashtëzakonshëm. Kampionët e botës në një gjysmëfinale Botërori. Kur isha fëmijë ëndërroja të luaja ndeshje të tilla. Kjo është sfida më e madhe e mundshme dhe mezi pres të zbres në fushë”, tha ai.

Për Anglinë, kjo është një tjetër mundësi për t’u rikthyer në majën e futbollit botëror. Anglezët arritën në gjysmëfinale edhe në Botërorin e vitit 2018, ku u eliminuan nga Kroacia, ndërsa katër vjet më vonë u ndalën në çerekfinale nga Franca.

Ndërkohë, Tuchel ka marrë edhe një lajm pozitiv para sfidës, pasi Declan Rice pritet të jetë i gatshëm për të luajtur, pavarësisht se u zëvendësua në pjesën e parë të ndeshjes me Norvegjinë për shkak të një gjendjeje jo të mirë shëndetësore.

Në të njëjtën kohë, Harry Kane do të regjistrojë paraqitjen e tij të 121-të me fanellën e Anglisë, duke kaluar Wayne Rooney dhe duke u bërë futbollisti i fushës me më shumë ndeshje në historinë e kombëtares angleze. Vetëm ish-portieri Peter Shilton mbetet përpara tij në renditjen e përgjithshme të paraqitjeve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?