Tuchel: Shqipëria e meriton Botërorin, shihemi atje!
Anglia ka përfunduar me sukses të plotë kualifikueset për Kupën e Botës 2026, duke siguruar një tjetër fitore ndaj Shqipërisë. Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel triumfoi 0-2 në transfertë, rezultat i njëjtë me atë të ndeshjes së parë në Londër.
Pas sfidës, trajneri gjerman i anglezëve u shpreh për Digitalb, ku vlerësoi paraqitjen e kuqezinjve dhe atmosferën në stadium, ndërsa theksoi se Shqipëria ka potencial të plotë për të qenë pjesë e Botërorit.
“Fitorja nuk ishte aspak e lehtë, dhe as nuk e prisnim të ishte e tillë. Shqipëria është skuadër e fortë. Ka pësuar vetëm pesë gola në këto kualifikuese, katër prej të cilëve nga ne. Stadiumi ishte fantastik dhe atmosfera shumë emocionuese,” u shpreh Tuchel.
Trajneri shtoi se është jashtëzakonisht krenar për rrugëtimin e Anglisë në këto ndeshje eliminatore. “Skuadra ka bërë një paraqitje të shkëlqyer. Jam shumë krenar për djemtë.”
Në fund, ai dha edhe një koment optimist për Shqipërinë: “Keni trajnerin e duhur, lojtarët e duhur dhe të gjitha mundësitë reale për t’u kualifikuar. Është mëse e mundur të shihemi në Botëror.”
KOHA JONË SONDAZH

